Alarm për bombë në aeroportin e Prishtinës, evakuohen pasagjerët dhe personeli

Një alarm për bombë mëngjesin e kësaj të mërkure në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ka bërë që të evakuohen të gjithë pasagjeret dhe personat e pranishëm në aeroport.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e aeroportit “Adem Jashari”, Valentina Gara, e cila përmes një postimi në facebook, shkruan se po implementohet i gjithë plani i masave emergjente për të vërtetuar nëse kërcënimi qëndron apo jo.

“Konfirmojmë se kemi pranuar një kërcenim me bombë. Udhëtarët dhe personeli janë evakuar dhe janë të sigurt. Ekipet e involvuara në planin emergjent janë duke kryer detyrat e tyre”, shkruan Gara.

Lajmi është konfirmuar gjithashtu nga policia e Kosovës e cila ka bërë me dije mbylljen e aeroportit për arsye sigurie.

“Policia e Kosovës, sot në orët e paradites ka pranuar një informacion me përmbajtje kërcënuese, për mjete shpërthyese në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Bazuar në këtë informacion, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore, ku për shkaqe sigurie ka mbyllur përkohësisht aeroportin.

Me qëllim të hetimit, kontrollit dhe masave të sigurisë, janë angazhuar njësitet relevante, andaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve”, njofton policia.