Ministrat e Brendshëm të 28 shteteve anëtare të BE-së do të diskutojnë sot në lidhje me projektet e reja për të penguar ardhjen e migrantëve në brigjet europiane, në takimin e tyre të parë të organizuar nën drejtimin e presidencës austriake të BE-së, e cila mbron alternativat radikale.
Në takimin që do të mbahet në Innsbruck (jug), ata duhet në veçanti të specifikojnë idenë, ende e paqartë por tashmë të diskutueshme të ‘’platformave për zbarkimin’’ në Afrikë të migrantëve të shpëtuar në Mesdhe, propozuar në konkluzionet e samitit të tensionuar organizuar në fund të qershorit në Bruksel.
Mbërritjet e migrantëve në brigjet europiane kanë shënuar një rënie të konsiderueshme në raport me momentin pik të regjistruar në vjeshtën e vitit 2015, por çështja migratore vijon të krijojë tensione si brenda dhe midis shteteve anëtare të BE-së.
Ministri austriak i ekstremit të djathtë Herbert Kickl (FPÖ, pjesë e koalicionit në qeveri së bashku me konservatorët në Vjenë) do të presë ditën e sotme homologun italian, Matteo Salvini, i ekstremit të djathtë gjithashtu dhe arkitekt i ashpërsimit të Romës në lidhje me këtë çështje, raporton Ata.
Lideri i Ligës vendosi një muaj më parë për të ndaluar hyrjen në portet italiane të OJQ-ve që shpëtojnë migrantë në Mesdhe. Në Innsbruck, ai synon t’i kërkojë partnerëve të tij për të mos orientuar drejt porteve italiane anije që janë aktualisht në mision ndërkombëtar.