BE dhe NATO, deklaratë të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit

"Kjo deklaratë bazohet në hapat që ne kemi marrë së bashku në dy vitet e fundit dhe forcon angazhimet tona për njëri-tjetrin", tha Juncker

Bashkimi Evropian dhe NATO kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për rritjen e bashkëpunimit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e nënshkrimit të deklaratës në ndërtesën e Këshillit Evropian në Bruksel morën pjesë presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

Juncker në një konferencë për media pas ceremonisë së nënshkrimit ka tërhequr vëmendjen në thellimin e bashkëpunimit mes BE-së dhe NATO-s që nga deklarata e nënshkruar fillimisht në vitin 2016.

“E përshëndes deklaratën e ditës së sotme, e cila është një moment i rëndësishëm i partneritetit tonë. Kjo deklaratë bazohet në hapat që ne kemi marrë së bashku në dy vitet e fundit dhe forcon angazhimet tona për njëri-tjetrin”, tha Juncker.

Pasi ka shtuar se në vitet e fundit është shënuar një përparim i madh në fushën e mbrojtjes së BE-së, Juncker tha se “Si pjesë e propozimit tonë për buxhetin e ri, Komisioni Evropian ka propozuar rritjen me 22 herë të shpenzimeve të mbrojtjes dhe që rritë në 27,5 miliardë euro shpenzimet totale të mbrojtjes mes viteve 2021-2027”.

Stoltenberg në fjalën e tij ka thënë se “Deklarata e re e përbashkët mes NATO-s dhe BE-së është tregues i dëshirës tonë për të thelluar bashkëpunimin. Duhet të punojmë së bashku për të mbajtur në mënyrë të sigurtë popujt tanë në këtë kohë kur ndodhemi përballë një situate komplekse dhe të papaarashikueshme”.

Në deklaratën e përbashkët të nënshkruar thuhet se “NATO dhe BE kanë vënë në praktikë vendimet e marra në Samitin e Varshavës dy vjet më parë dhe fushat e bashkëpunimit në këtë kontekst janë radhitur në mënyrën ‘bashkëpunimi i zhvilluar në luftën kundër trafikantëve të refugjatëve në Mesdhe, kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, niveli i gatishmërisë ndaj krizës, ushtrime të përbashkëta, siguria dhe mbrojtjes'”.

Po ashtu në deklaratë theksohet se vazhdimi i bashkëpunimit të NATO-s dhe BE-së është një prioritet kyç përballë sprovave që ndryshojnë vazhdimisht dhe bëhen më komplekse. Më tej bëhet e ditur se është e rëndësishme vendosja në praktikë e vendimeve të marra dhe se palët janë të vendosur të thellojnë bashkëpunimin.