Zyrtari palestinez: Ushtria izraelite kreu 15 masakra kundër familjeve palestineze në Gaza

Ushtria izraelite ka kryer 15 masakra kundër familjeve palestineze në Gaza gjatë dy ditëve të fundit, tha sot një zyrtar palestinez në administratën e Gazës, transmeton Anadolu.

“Në kundërshtim me pretendimet e okupatorëve për shënjestrimin e aftësive të rezistencës, ushtria pushtuese (izraelite) kreu 15 masakra duke bombarduar shtëpitë e tyre drejtpërdrejt pa asnjë paralajmërim”, tha Salama Marouf, shefi i zyrës së mediave në Gaza, në një deklaratë.

Marouf shtoi se ushtria izraelite është tërësisht fajtore për këto masakra ndaj civilëve.

“Ky realitet i vështirë kërkon një veprim urgjent nga organizatat përkatëse të bashkësisë ndërkombëtare për të frenuar okupatorët që po ndjekin politikën e tokës së djegur brenda zonave me banim të dendur”, shtoi ai.

Sot herët, ushtria izraelite konfirmoi se ka goditur mbi 500 objektiva në Gaza gjatë sulmeve të natës, duke pretenduar se bëhet fjalë për objektiva të Hamasit dhe Xhihadit Islam.

Grupi i rezistencës me bazë në Gaza, Hamasi, nisi operacionin “Tufani i Aksasë” kundër Izraelit herët të shtunën, duke lëshuar një breshëri raketash, duke shtuar se sulmi i befasishëm ishte përgjigje për sulmet ndaj Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe rritjes së dhunës së kolonëve.

Si hakmarrje, ushtria izraelite nisi operacione kundër Hamasit në Rripin e Gazës, duke vrarë afro 500 palestinezë dhe duke plagosur të paktën 2.751 të tjerë.

Të paktën 700 izraelitë janë vrarë dhe mbi 2.300 të tjerë janë plagosur në luftime, sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë.