Zyrtarë të Bashkisë së Shkodrës japin dorëheqjen

Situata e paqartë e ditëve të fundit në drejtimin e Bashkisë së Shkodrës po shoqërohet nga dorëheqjet e zyrtarëve të kësaj Bashkie.

I pari që dha dorëheqjen është sekretari i Këshillit të Bashkisë, Suel Hadri. Në njoftimin e dorëheqjes ai bën të ditur se e bën këtë “për arsye personale”, raporton radioja “Zeri i Amerikës”, sipas të cilës: “…Besohet se dorëheqja e tij lidhet me konstituimin e Këshillit të ri Bashkiak, i cili zhvilloi mbledhjen e tij të parë ditën e hënë, me datë 19 gusht, në një situatë të tensionuar kur, para mjediseve ku po zhvillohej takimi, mbështetës të Partisë Demokratike protestuan duke tentuar disa herë të çajnë kordonin e policisë për t’u futur brenda në sallë”.

Dorëheqja e zotit Hadri pritet të shoqërohet edhe nga dorëheqje të zyrtarëve të tjerë, gjë që lidhet me situatën e ditëve të fundit në këtë bashki, vijon e njëjta.

Ndërkohë, është paralajmëruar për javën e ardhshme mbledhja e Këshillit Bashkiak, e cila ka gjasa të autorizojë një prej nënkryetarëve të kësaj bashkie të kryej funksionin e titullarit deri në zgjedhjen e Kryebashkiakut të ri.