Fushata elektorale për zgjedhjet vendore 2023, në këndvështrimin e ekspertëve të komunikimit dhe politologëve, mbetet si bazë, joserioze. Mungesa e rivalitetit ka sjellë që të mos u kushtohet shumë rëndësi ideve, transparencës e llogaridhënies, por cirkut dhe tallavasë, gjuhës denigruese dhe elementeve vizuale joetike.
Sipas tyre, beteja në këto zgjedhje është mes lidershipit që ka qëllime të qarta personale, kurse kandidatët, edhe në bashkitë e mëdha, nuk kanë arritur të fitojnë pavarësinë, duke mbetur në hije. E gjitha kjo cilësohet si një dështim për Shqipërinë, që tashmë duhet të tregonte më shumë maturi politike me fillimin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Nertila Maho
William Harry Harrison, në vitin 1840, udhëhoqi fushatën e tij të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën tingujt e një kënge të titulluar “Kënga e Harrison”. Ky krijim e vlerësonte atë si një fermer ku shumë amerikanë gjenin veten, por edhe si një gjeneral të madh në luftën e vitit 1812.
Në fushatat elektorale amerikane, tradita e këngës ka qenë gjithmonë e pranishme, si një formë shprehje për të përçuar te publiku vlerat më të mira të kandidatit, apo vizionin e një pale politike.
Fushatat elektorale amerikane, të cilat mbledhin strategët më të mprehtë të komunikimit pranë vetes, janë kthyer në modele që kopjohen botërisht. Dhe, Shqipëria nuk bën përjashtim, duke marrë elemente të shumta, të cilat më pas i shqiptarizon, ose ua humbet qëllimin.
Se sa serioze, etike dhe e ashpër është një fushatë bazohet gjithmonë në situatën reale në terren, që do të thotë sa konkurrencë ka. E duket se mënyra se si po zhvillohet fushata për zgjedhjet vendore 2023 tregon se fituesi është shpallur prej kohësh dhe kjo është një fazë për t’u kaluar.
Si e tillë, njëra palë po e kalon mes argëtimit me këngë e valle, për hir të pozitës komode që ka, kurse pala tjetër, e ndarë në dy pole, po kërkon konfirmimin se cila është opozita reale.
Ekspertë të komunikimit dhe politologë vlerësojnë se kjo është ndoshta një nga fushatat më të dobëta në aspektin e angazhimit të palëve, ku mungon llogaridhënia dhe transparenca, ndërkohë që marketingu nuk është shfrytëzuar siç duhet, duke zgjedhur edhe slogane të gabuara, elemente vizuale që çorodisin dhe sjellin pështjellim emocional.
Fushata elektorale, si përballje mes lidershipit, kandidatët në hije
Liderët kryesorë politikë kanë dominuar skenën e zgjedhjeve vendore 2023. Do të duhej të ishte krejt e kundërta, ku në mendjen e qytetarëve të mbeteshin kandidatët e rinj dhe të vjetër që garojnë për mandatin 4-vjeçar të bashkive dhe programet e tyre, por kjo s’ka ndodhur.
“Është interesante të shohësh që nëse kontrollojmë qytetet kryesore në vend është i pranishëm z. Rama dhe z. Berisha në foto dhe nuk janë kandidatët për kryetar bashkie.
Në zgjedhjet lokale do të duhej të ishte krejt e kundërta. Liderët nuk janë kandidatë në zgjedhje, nuk votohen dhe nuk ka arsye pse të jenë në epiqendër të posterave.
Por kjo lidhet sërish me kredenciale personale, synime personale dhe rivalitet personal, jo me zgjedhjet vendore”, – pohon politologu Afrim Krasniqi. 2
Për eksperten e komunikimit, Edlira Gjoni, Partia Socialiste e ka komode këtë fushatë, sepse të tillë ia bën opozita e ndarë dhe fakti që shumica e të larguarve nga vendi prej vitit 2015 janë votues të djathtë.
“Prandaj, nuk ka arsye pse të mendohet thellë për fushatë serioze dhe ka vendosur të argëtohet me një fushatë tallava.
Bën pjesë në personalitetin bullizues e superior që ndien kjo forcë politike ndaj votuesit, të cilin e do të varfër, por të dendur mirë me këngë, valle, propagandë e lugë bosh.
Për fushatën e së djathtës nuk ia vlen të harxhohet asnjë rresht komentimi. Është një bashkim jonatyral interesash të dy njerëzve në njërin krah, e një grupim i zbehtë që lëviz nëpër Shqipëri me vulë, por pa përmbajtje se ç’të vulosë, në krahun tjetër”, – vlerëson znj. Gjoni. 3
Gjuha është bërë më denigruese, mungon etika dhe serioziteti
Veshja e kandidatëve, terreni ku mbahen takimet, gjuha e përdorur janë të gjitha përçuese të mesazheve për votuesit. Shqipëria, në këndvështrimin e ekspertëve në këtë fushatë, ka njohur një tjetër kulm sa i takon gjuhës denigruese të përdorur.
“Mendoj se ka pasur një gjuhë të personalizuar dhe të denigruar. Është një gjuhë më denigruese edhe në raport me zgjedhjet e kaluara.
Kryeministri ka përdorur një gjuhë jashtëzakonisht të personalizuar dhe të ashpër ndaj rivalëve publikë, edhe në disa fjalime publike.
Edhe opozita, sidomos ajo pjesë që përfaqëson z.Berisha dhe z.Meta, ka pasur gjuhë të personalizuar dhe me akuza familjare dhe personale ndaj njëri-tjetrit.
Kjo lloj gjuhe është një zhvillim negativ dhe tregon që palët kanë zgjedhur më shumë t’i konsiderojnë këto zgjedhje sfidë dhe luftë personale, sesa një garë midis partive politike dhe alternativave”, – nënvizon z. Krasniqi.
Në botë, sa u takon strategjive të komunikimit në fushata elektorale vihet theksi te gjuha e përdorur nga liderët, por mbi të gjitha te rreziku nga keqinformimi.
Në Shqipëri, sipas ekspertëve, është bërë e udhës që, pavarësisht asaj që një politikan thotë, barra që ta provosh si të vërtetë nuk të bie asnjëherë. Kjo do të thotë që ti ke të vërtetën tënde, edhe nëse ajo nuk qëndron apo një premtim i pambajtur.
“Gjuha vijon të jetë ajo që politikanët njohin më mirë: ofendimi i tjetrit. Asnjë fjalim i përgjegjshëm, as i ri, as i përgatitur.
Çdo fushatë është me moton ‘nisemi sot për një xhiro në x fshat’, dhe njëlloj si në Koncertin e Vitit 1936, dalin para turmës për të bërë cirk me sulme ndaj kundërshtarit e gënjeshtra në ditën me diell e me shi për pseudo-arritjet e tyre”, – nënvizon znj. Gjoni.
Nuk ka llogaridhënie, shmanget qëllimisht debati përballë
Një nga elementet më të spikatura në fushatat amerikane është debati përballë i udhëheqësve politikë.
Në Shqipëri, kjo mungon prej shumë vitesh dhe ashtu si në zgjedhjet e fundit të vitit 2021, edhe në këtë fushatë për zgjedhjet vendore, ka munguar. Zgjedhja e partive ka qenë ajo e fushatave bazë, pa mbajtur përgjegjësi.
“Për sa kohë ligji nuk e ndalon e ndërgjegjja e tyre ua nxit, politikanët do të vijojnë të bëjnë fushatë prapanike, bazë, në formë cirku që rrok duartrokitje e vota, por nuk lë pas asnjë gjurmë premtimi për të cilin votuesi, i dehur nga ahengu e cirku, nuk mëson kurrë të kërkojë llogari”, – pohon znj. Gjoni.
Vendosja përballë e ideve dhe premtimeve të pambajtura shihet si një avantazh për opozitën, e cila e kërkon debatin, që shmanget qëllimisht nga mazhoranca. Të paktën kështu e sheh këtë pikë politologu Krasniqi.
“Mazhoranca i shmanget çdo debati publik, ndërkohë që opozitës i intereson të tërheqë mazhorancën në këtë raport, për shkak se mund të jetë një rast për ta goditur dhe mund të faktorizohet, gjë që ajo e përsërit, por nuk ka dhënë efekt.
Çdo stacion televiziv ka dështuar të prodhojë debate midis kandidatëve.
Metoda e zgjedhur mes mediave dhe partive, ku partitë sjellin kaseta të gatshme, apo kandidatët kanë kohë të ndarë televizive, për të dhënë deklaratat e tyre apo intervistat jo përballë njëri-tjetrit, mendoj se është e gabuar, e tejkaluar, demode dhe shkelje e standardit, etikës dhe përgjegjësisë zgjedhore.
Kjo pasi e bën të pamundur debatin publik dhe transparencën”, – nënvizon z. Krasniqi.