Zgjedhjet lokale në Stamboll, votojnë dy kandidatët për kryetarë bashkie

"Zgjedhjet janë një mundësi e rëndësishme për të zbatuar përvojat që i kemi fituar në mbarë vendin deri më tani për ta bërë Stambollin një qytet botëror", tha kandidati i AK Partisë, Binali Yıldırım

Kandidati i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në pushtet, Binali Yıldırım, ka realizuar votën e tij në distriktin Tuzla të Stambollit në zgjedhjet për kryebashkiakun e Stambollit, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai në vendvotimin arriti i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Semiha Yıldırım.

“Zgjedhjet janë një mundësi e rëndësishme për të zbatuar përvojat që i kemi fituar në mbarë vendin deri më tani për ta bërë Stambollin një qytet botëror. Qofshin këto zgjedhje të mbarë për Stambollin dhe vendin tonë”, tha Binali Yıldırım pasi e realizoi votën.

Kandidati për Bashkinë e Madhe të Stambollitl, Ekrem İmamoğlu, e përdori votën e tij në Beylikdüzü.

YSK ka njoftuar se numri i përgjithshëm i votuesve që deri në orën 17:00 sipas kohës lokale do të kenë mundësi të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike gjatë zgjedhjeve të sotme është 10.560.963 në gjithsej 31.342 kuti votimi në 39 rrethe të qytetit.

Në zgjedhjet e 31 marsit garuan 32 kandidatë, prej të cilëve 24 të pavarur, ndërkohë që në votimin e përsëritur do të ketë vetëm 21 kandidatë, përfshirë kandidatët nga AK Partisë, CHP-së, Partisë Saadet dhe Partisë Vatan, së bashku me 17 kandidatë të tjerë të pavarur.

Sipas YSK-së, përsëritja e zgjedhjeve në Stamboll u vendos pasi rreth 30.281 vota në 108 kuti u shpallën të pavlefshme për shkak se fletët e numërimit të votave nuk ishin të nënshkruara ose mungonin.

Gjithashtu, në 754 qendra votimi në zgjedhjet e 31 marsit në Stamboll u zbulua të jenë angazhuar komisionerë të cilët nuk kanë qenë shërbyes civilë.

Më 31 mars, pjesëmarrja në votime ishte 83,88 për qind, gjashtë për qind më pak se në zgjedhjet e mëparshme lokale të 30 marsit të vitit 2014.

Sipas rezultateve zyrtare të YSK-së, në zgjedhjet e 31 marsit İmamoğlu mori 48,8 për qind të votave në Stamboll, ndërsa Yıldırım 48,55 për qind.

Ndërkaq, AK Parti fitoi 24 komuna të rretheve të metropolit turk, ndërsa CHP 14.