Yörük: Operacioni “Burimi i Paqes” synon eliminimin e terroristëve

“Turqia nuk ka plane për të ndryshuar strukturën demografike të rajonit. Pasi të përfundojmë me sukses operacionin, presim që 1 milion ose më shumë sirianë, kurdë, arabë, të krishterë, që të rikthehen në tokën e tyre”, u shpreh ai. 

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në një konferencë për mediat ka folur në lidhje me operacionin “Burimi i Paqes”, i filluar nga Forcat e Armatosura Turke në veri të Sirisë për të pastruar rajonin nga elementet terroriste, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve, ambasadori Yörük foli në lidhje me qëllimet e këtij operacioni dhe të drejtat ku bazohet Turqia për realizimin e tij, duke theksuar se Turqia ka kontribuar në luftën kundër terroristëve në Siri.

Ambasadori turk tha se operacioni “Burimi i Paqes” realizohet në përputhje me të drejtën e Turqisë për vetëmbrojtje, në rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), si dhe në të drejtën e vetëmbrojtjes sipas nenit 51 të Kartës së OKB-së.

“Turqia do vijojë luftën ndaj terrorizmit në rajon dhe në mbarë globin. Nuk do të lejojmë krijimin e një korridori të terrorit në kufirin tonë. Ky është operacion kundër terrorizmit, e jo pushtim ndaj një vendi të huaj. Ky operacion ka për qëllim eliminimin e organizatave terroriste që ende përbëjnë kërcënim ndaj sigurisë tonë kombëtare”, u shpreh Yörük.

 Ai theksoi se operacioni po ashtu ka për qëllim të garantojë për refugjatët sirianë që gjenden në Turqi kthimin e sigurt në shtëpitë e tyre në territorin sirian.

“Turqia nuk ka plane për të ndryshuar strukturën demografike të rajonit. Pasi të përfundojmë me sukses operacionin, presim që 1 milion ose më shumë sirianë, kurdë, arabë, të krishterë, që të rikthehen në tokën e tyre”, u shpreh ai.

Ambasadori turk më tej tha se ky operacion synon eliminimin e organizatave terroriste PKK, PYD/YPG dhe DEASH.

Ai tha se presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, në lidhje me operacionin ka informuar presidentin amerikan, Donald Trump, presidentin rus, Vladimir Putin, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve ndërkombëtare.

Në lidhje me familjet e luftëtarëve të huaj që ndodhen në kampe në Siri, mes të cilëve edhe shqiptarë, ambasadori Yörük theksoi se zgjidhja për këto persona që janë të lidhur me luftëtarët e huaj apo dhe për vetë luftëtarët është kthimi i tyre në vendet e origjinës.

Operacioni “Burimi i Paqes”

Më 9 tetor, Turqia filloi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë në shtëpitë e tyre dhe integritetin territorial të Sirisë.

Turqia me këtë operacion synon ta pastrojë rajonin në lindje të lumit Eufrat nga terroristët e PKK-së dhe dega e saj siriane PYD/YPG.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë.