Ndërsa në Tiranë do të mblidhen udhëheqësit më të rëndësishëm të BE dhe vendeve anëtare të unionit, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, të dielën do të udhëtojë për në Kinë, ku do të ketë një takim dypalësh me presidentin e Kinës, Xi Jinping.
Presidenti serb ka thënë se pret edhe takime me përfaqësues të kompanive të shumta dhe institucionet shtetërore tjera kineze.
“Unë pres nënshkrimin e shumë marrëveshjeve, duke përfshirë marrëveshjen e tregtisë së lirë. Ajo marrëveshje do të thotë shumë për fermerët, si dhe për industrinë e verës,” ka thënë ai.
I pyetur nëse do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, ai tha se nuk janë planifikuar bisedime dypalëshe, por sigurisht që do ta takojë atë, si shumë liderë të tjerë.
“Me sa kam dëgjuar, në atë takim po vijnë 24 liderë botërorë. Mes tyre është edhe Putini. Unë nuk kam një plan dypalësh me të. Hera e fundit që u takuam ishte më 25 nëntor 2021, kur thashë se do të kishte luftë në Ukrainë. Do të jetë edhe më keq në botë dhe prandaj është e rëndësishme për ne të ruajmë paqen”, tha Vuçiç.
Serbia nuk i ka vënë sanksione Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë edhe pse Perëndimi i ka bërë thirrje të vazhdueshme. Presidenti Vladimir Putin mbërriti të enjten në Kirgistan, një vizitë e rrallë jashtë vendit për udhëheqësin rus, i cili u padit në fillim të këtij viti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare nën akuzat për krime lufte në Ukrainë. Putin u takua me Presidentin e Kirgistanit dhe pritet të marrë pjesë të premten në një takim të nivelit të lartë të atij që njihet si Komonuelthi i Shteteve të Pavarura, me vend mikpritës Kirgistanin. Në takim do të marrin pjesë gjithashtu udhëheqësit e Azerbajxhanit, Bjellorusisë, Kazakistanit, Taxhikistanit, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit.
Kjo shënon herën e parë këtë vit që zoti Putin udhëton jashtë Rusisë dhe territoreve ukrainase që kontrollohen nga Moska. Në fillim të këtij viti, ai vizitoi rajonet pjesërisht të pushtuara të Ukrainës, Donetskun, Luhanskun, Khersonin, si dhe Gadishullin e aneksuar të Krimesë.
Në fund të këtij muaji, presidenti rus pritet të vizitojë sërish Kinën. Muajin e kaluar, ai pranoi gjithashtu një ftesë për të vizituar Korenë e Veriut, megjithëse mbetet e paqartë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.