Vodhi 4 automjete në Pogradec, Elbasan dhe Prrenjas, kapet hajduti ‘serial’

Një autor i grabitjes së katër automjeteve në qytete të ndryshme është arrestuar nga policia në Pogradec.

Pas zbardhjes së grabitjes së ndodhur më 9 janar të këtij viti në Pogradec, u arrestua A. I., 35 vjeç.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se 35-vjeçari është autor i dyshuar i vjedhjes së automjetit tip “Toyota”.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore dyshohet se gjatë kësaj jave, ai ka vjedhur edhe 3 automjete të tjera, në Prrenjas dhe në Elbasan, konkretisht një automjet tip “Nissan”, një kamionçinë tip “Benz” dhe një motoçikletë tip “Yinxiang”, të cilat u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale “Vjedhja”, e kryer më shumë se një herë.