Vladimir Putin: Rusia është e hapur për dialog me NATO-n

Putini tha se zgjerimin e NATO-s në lindje, Rusia e konsideron si një kërcënim për sovranitetin e saj kombëtar, por pret që interesat e sigurisë së përbashkët evropiane të triumfojnë dhe Aleanca të kthehet në dialog

Përderisa liderët e NATO-s janë mbledhur në Londër për një samit, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se Moska është e gatshme të bashkëpunojë me Aleancën në disa çështje, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një takim me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes në Soçi, Putini tha se zgjerimin e NATO-s në lindje, Rusia e konsideron si një kërcënim për sovranitetin e saj kombëtar, por pret që interesat e sigurisë së përbashkët evropiane të triumfojnë dhe Aleanca të kthehet në dialog.

Putin tha se stereotipet nuk janë të dobishme për “marrjen e vendimeve efektive në kushtet me ndryshim të shpejtë të botës moderne”.

“Në të njëjtën kohë, ne në vazhdimësi kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar me NATO-n dhe bashkarisht t’u rezistojmë kërcënimeve të vërteta, duke përfshirë, siç e dimë, terrorizmin ndërkombëtar, konfliktet e armatosura lokale dhe rrezikun e përhapjes së pakontrolluar të armëve të shkatërrimit në masë”, shtoi Putin.

Më tej, Putin theksoi se NATO u themelua gjatë Luftës së Parë të Ftohtë për të kundërshtuar Bashkimin Sovjetik, por tani shtoi ai, nuk ekziston Bashkimi Sovjetik ose Pakti i Varshavës, por NATO ekziston dhe zhvillohet.

NATO dhe Rusia mbeten në mosmarrëveshje për disa çështje, përfshirë separatistët përgjatë kufirit të Ukrainës me Rusinë, aneksimin e paligjshëm të Gadishullit të Krimesë dhe ndërhyrjen ruse në zgjedhjet perëndimore.