Vendimi për protestuesit, Basha: Në krah të qytetarëve, nga nesër në protesta

Lulzim Basha doli në një deklaratë për mediat pas lënies në burg të 11 nga protestuesit për taksën në Rrugën e Kombit, duke thënë se ky është një regjim që burgos popullin dhe lë kriminelët të lirë.

“Shumë nga të ndaluarit u grabitën në mes të natës nga policia. Çfarë lidhje ka ku regjim që liron Orest Sotën dhe mban në burg, babain e tre fëmijëve të arrestuar në mes të natës sikur të ishte një terrorist. Ky është një shtet që shkel liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Ky është një regjim që burgos popullin dhe lë kriminelët të lirë”, tha Basha.

Kreu i opozitës teksa theksoi se Rama ka privatizuar shtetin, gjykatat, prokurorinë si dhe policinë theksoi se ai dhe forca që ai përfaqëson do të jetë në krah të qytetarëve, duke premtuar pjesëmarrjen në protesta e qytetarëve.

“Regjimet të cilat u kundërvihen interesit publik, regjimet që përdorin dhunën dhe forcën, janë vetëm hapa para rrëzimit. Popullin shqiptar nuk e nënshtron dot, nuk e privatizon dot, ne do të jemi krah tyre, siç ishim edhe sot.

Do të jemi nesër në protestat e njoftuara nga qytetarët, nga sipërmarrësit e vegjël, nga fermerët, nga njerëzit që janë larguar nga ndihma ekonomike. Një popull i bashkuar që do të rezistojë një garanci se kjo diktaturë i ka orët e numëruara. U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë socialistëve të ndershëm, ta refuzojnë privatizimin e shtetin nga kjo bandë”, tha Basha. /Top Channel