‘Vëllezër përgjithmonë’, disa serbë solidarizohen me Rusinë

Teksa qindra mijëra njerëz po protestojnë çdo ditë në solidaritet me Ukrainën në mbarë botën, në Serbi po ndodh e kundërta.

Shumë qytetarë serbë mbështesin hapur Putinin dhe vendimin e tij për të pushtuar Ukrainën.

Në Beograd dje disa qytetarë u mblodhën në mbështetje të Rusisë. Kjo protestë u organizua nga grupi i krahut të djathtë që quhet “Patrulla Popullore”. Organizimi i djeshëm ishte më i vogël në numër, në krahasim me protestat e ditëve të mëparshme në Beograd.

“Kjo duhej të bëhej”, tha protestuesi serb Marko Vezmar, i veshur me një këmishë me portret të Putinit. “E keqja arriti në kufijtë e Rusisë dhe nëse nuk do veprohej do të kishte pasur një luftë botërore,” shtoi ai, ndërsa turma bërtiti “Serbo-Rusët, vëllezër përgjithmonë”.

Kohëve të fundit, bluza me fytyrën e Putinit shiten gjithandej nëpër kioskat përreth Beogradit.

“Në dy javët e fundit, këto janë bluzat më të shitura”, tha për AFP një shitës në kryeqytetin serb.

Shumë serbë nuk shohin arsye pse të mbajnë qëndrim kundër Rusisë, të cilën e konsiderojnë si “mbrojtëse” të shtetit të tyre.

Me shekuj, Serbia dhe Rusia kanë pasur lidhje të thella vëllazërore — nga trashëgimia e tyre sllave dhe ortodokse deri te aleancat e tyre të palëkundura gjatë Luftërave Botërore të shekullit të 20-të.

Ndikimi i Moskës në Serbi mbetet i madh, me naftën dhe gazin rus që janë shtylla e sektorit energjetik të vendit.

Në protestën e djeshme, disa vetura që kishin simbolin ‘Z’ dhe me flamuj rusë dhe serbë, protestuan duke parakaluar pranë qendrës “Sava” në Beograd.

Simboli ‘Z’ është parë në tanket ruse gjatë luftimeve në Ukrainë. Ky simbol po përdoret edhe nga personat që po e mbështesin vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për pushtimin e Ukrainës.

“Jam e turpëruar që shteti im nuk iu bashkua gjithë pjesës tjetër të botës për të dënuar agresionin rus”, tha Dubravka Stojanovic, një historiane 59 vjeçare.