Vdesin 2 persona dhe lëndohen 9 tjerë në aksident trafiku në Kosovë

Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti tragjik në rrugën Prishtinë-Podujevë në Kosovë.

Policia e Kosovës bën të ditur se 9 persona tjerë janë të lënduar. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira tri automjete.

“Si pasojë e aksidentit, bazuar në të dhënat fillestare, lëndime trupore kanë pësuar 11 ( njëmbëdhjetë) persona, dy prej të cilëve nuk kanë mundur tu përballojë plagëve të marra dhe të njëjtit, kanë ndërruar jetë. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Rruga është bllokuar, teksa policia lut qytetarët që të shfrytëzojnë rrugët alternative deri në përfundimin e ekzaminimeve në vendngjarje.

Policia njofton se hetuesit nga njësiti i hetimeve të trafikut rrugor në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke u marrë me hetimin e rastit.