Vdes një foshnjë në një kamp refugjatësh në Greqi

Mjekët pa Kufij thanë se foshnja nëntëmuajshe vdiq nga dehidratimi i rëndë

Organizata “Mjekët pa Kufij” (MSF) njoftoi se një foshnjë nëntëmuajshe ka vdekur në kampin e refugjatëve Moria në Greqi, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne kemi konfirmuar sot nga spitali lokal në Lesbos se një foshnjë nëntëmuajshe ka vdekur disa ditë më parë nga dehidratimi i rëndë në kampin Moria të Greqisë”, tha MSF dje në Twitter.

Grupi i bamirësisë mjekësore tha se fëmijët po vdesin në Greqi për shkak të kushteve të tmerrshme të jetesës dhe mungesës së kujdesit të duhur.

Rreth 15.000 njerëz janë bllokuar në Moria, mes tyre 5.000 të mitur, tha MSF, pasi kërkoi nga Greqia dhe Bashkimi Evropian të ndërmarrin veprime të menjëhershme.

Të paktën 1.000 emigrantë kanë vdekur këtë vit në Detin Mesdhe, ka njoftuar Agjensia e Refugjatëve të OKB-së (UNHCR).

Rreth 77.400 emigrantë të parregullt arritën në Evropë duke kaluar Mesdheun në vitin 2019, prej të cilëve, 45.600 mbërritën në Greqi, më shumë sesa në Spanjë, Itali, Maltë dhe në administratën greke qipriote, ka thënë UNHCR.

Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM) ka thënë se të paktën 15.000 viktima kanë humbur jetën në ujërat e Mesdheut që nga viti 2014.