Variantet e reja të Covid-19 në Shqipëri? Manastirliu: Kemi dërguar mostrat në laboratorin e Berlinit i ri

Manastirliu: Kemi dyshime të arsyeshme për qarkullimin e varianteve të reja të Covid-19 në vend, rritja e rasteve mund të lidhet me këtë...

Pavarësisht numrit në rritje të të prekurve me covid, shtimit të pacientëve në spitale dhe rritjen e fataliteteve, qeveria ka vendosur të mos ndryshoj asnjë masë anti covid por të zbatohen me përpikëri masat që janë në fuqi.

Në një konferencë, që kryeministri e quajti të pazakontë, ai kritikoi moszbatimin e masave në qendrat tregëtare, lokalet por edhe takimet elektorale.

Ndryshim tha ai do të kenë vetëm gjobat për këto subjekte.

“Së shpejti në ditët në vijim do të rrisim gjobat për lokalet, baret, restorantet, dyqanet, qendrat tregtare. Do të bëjmë një shkallëzim sipas hapësirave dhe sipas kushteve për abuzim.”

Rritja e numrit të rasteve lidhet me dyshimin për praninë e varianteve të reja të coronavirusit, por edhe me neglizhencën e qytetarëve për zbatimin e masave anticovid.

“Vërehet se në javët e fundit, në javën e 5-të të viti ka një trend të rasteve të larta së të infektuarëve. Një trend i cili sipas ekspertëve është i pritshëm i lidhur ngushtësisht me sezonin dimërore, me tendecën e grumbullimeve në ambiente të mbyllyra dhe të jashtme dhe me qarkullim, e mutacioneve të reja.

E para kemi dyshime të arsyeshme për qarkullimin e varianteve të reja në vend pasi vërehet një qarkullim më i madh i virusit te të rinjtë , kemi raste të ri-infektimeve një tjetër arsye e cila i dërgon ekspertët në dyshime të qarkullimit të varianteve të reja dhe sigurisht sa i përket dhe aspekteve të sinjaleve në laboratorin në Institutin e Shëndetit Publik ku vlerësojnë se kemi të bëjmë me këto dyshime të arsyeshme. Jemi në pritje dhe po dërgojmë mostrat dhe analizat e rradhës në laboratorin e referencës në Berlin, për të vërtetuar nëse këto dyshime tona do të rezultojnë të vërteta”– thotë Ministria.

Duke bërë një përmbledhje të të gjithë situatës pandemike, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirlliu u shpreh se nga 460 vatra infektimi, pjesa më e madhe e tyre janë vatra familjare.

“Në Tiranë përqindja më e madhe e vatrave është e kombinuar mes atyre familjare dhe atyre të aktiviteteve të biznesit. Ndërkohë që mosha mesatare e rasteve të prekura është 48.7 vjeç.”

Mbylljen e vendit apo ndoshta edhe shtimin e kufizimeve, Rama dhe Manastirliu e konsiderojnë të domosdoshme vetëm nëse spitalet do të jenë në limitet e kapaciteteve.

Në javën e fundit në katër strukturat spitalore janë ezauruar rreth 78% e kapaciteteve, por sipas Ministrisë së Shëndetësisë, situata është nën kontroll.