UNESCO interes për Vjosën, drejtoresha vizitë dy ditore në Shqipëri

Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO Audrey Azoulay përfundoi një vizitë 2 ditore në Shqipëri ku ka vizituar disa site të mbrojtura nga UNESCO përfshi Gjirokastrën.

Znj. Azoulay shoqërohej prej Ministres së Turizmit Kumbaro edhe për të vizituar nga afër një prej aseteve kryesore natyrore në rajon, lumin Vjosa për të cilin mund të konsiderohet në të ardhmen mbrojtja prej UNESCO si një habitat i rrallë natyror.

Drejtoresha e UNESCO e pyetur rreth situatës së mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Gjirokastër tha se mbrojtja është një proces që nuk mbaron dhe që kërkon një balancë të drejtë me aspektet e tjera të zhvillimit. Ajo la të kuptohet se ka pasur diskutime të vazhdueshme me palën shqiptare lidhur me ‘by passin’ e ri që po ndërtohet si dhe parkingun nëntokësor në sheshin e sipërm të qytetit por i quajti diskutimet konstruktive dhe pozitive.

“Nëse një sit përfshihet në UNESCO nuk do të thotë që problemet e tij të mbrojtjes mbarojnë. Është një proces i gjatë ku ekspertët vizitojnë sitin në mënyrë të rregullt për të mbështetur me udhëzimet e duhura dhe nuk është asnjëherë e lehtë për të balancuar për shembull këtu zhvillimin e turizmit me mbrojtjen e trashëgimisë kështu që na mbetet të synojmë turizmin e qëndrueshëm. Ne kemi pasur diskutime produktive në të shkuarën sesi duhen ndërtuar rrugët e reja apo parkingët e vepra të tjera në mënyrë që të mbrohet trashëgimia por deri tani diskutimet siç ju thashë kanë qenë konstruktive dhe pozitive”, tha Audrey Azoulay, Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO.

Drejtoresha e UNESCO komentoi edhe rreth fatit të dhjetëra godinave historike në rrezik shembjeje në Gjirokastër që sipas saj kërkojnë ekspertizën e duhur për të ndërhyrë si dhe marrjen në konsideratë të dimensionit lokal.

“Ne kemi pasur diskutime me Ministrinë e Kulturës gjatë viteve të fundit mbi atë sesi të restaurohen apo si të jepet ekspertiza e duhur në mënyrë që konsolidimet të kryhen në mënyrën e duhur. Ne e dimë gjithashtu që nuk është një proces i lehtë, është i gjatë dhe kërkon njohuritë e duhura për ta kryer, kështu që ne si organizatë universale jemi të shqetësuar për mbrojtjen e dimensionit lokal dhe gjetjen e mënyrave që kjo trashëgimi të shpëtohet në mënyrën e duhur”, tha Azoulay.

Sa i përket Vjosës si aset natyror që po shkon drejt marrjes së statusit Park Kombëtar interesi i UNESCO është gjithashtu i lartë.

“Është një dimension tepër i rëndësishëm i vizitës sime dhe mision i UNESCO-s, jo vetëm për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, por gjithashtu edhe trashëgiminë natyrore dhe që të dyja janë të lidhura dhe isha tepër e lumtur për shpalljen e projektit nga qeveria e këtushme për të mbrojtur Vjosën. Këtë lumë të egër të Europës si park kombëtar. Mendoj që është tepër e rëndësishme dhe është egzaktësisht drejtimi te cilin duhet të ndjekim”, përfundoi Audrey Azoulay.

“Kjo është hera e dytë që autoriteti më i lartë i UNESCO viziton Shqipërinë. UNESCO ka të listuara si trashëgimi botërore, Gjirokastrën, Beratin, Butrintin dhe si trashëgimi jomateriale isopolifoninë e së fundmi edhe xhubletën“, tha Mirela Kumbaro.