Ulen çmimet e naftës e benzinës me 6 lekë

Çmimi i naftës dhe benzinës ka shënuar rënie këtë të martë, krahasuar me rishikimin e fundit të tre ditëve më parë.

Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja, ku një litër naftë do të tregtohet me 226 lekë nga 232 që ishte më parë. Po ashtu edhe çmimi i benzinës është ulur me 6 lekë. Një litër benzinë do të jetë 206 lekë.

Çmimi i gazit do të tregtohet për 103 lekë për litër.

Në bursë sot më 26 prill një fuçi naftë tregtohet për 103.4 dollarë.

Vendimi i Bordit të Transparencës datë  26.4.2022

Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 26 Prill 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.

Nisur sa më sipër, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit  21/5 të Aktit Normativ,  Bordi vendosi:

Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 26.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:

214 Lekë/litri për gazoilin;

194 Lekë/litri për benzinën;

91 Lekë/litri për gazit të lëngshëm të naftës.

Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 26.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:

226 Lekë/litri për gazoilin;

206 Lekë/litri për benzinën;

103 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).

Vendimi i Bordit hyn në fuqi  dhe do reflektohet në datë 26.04.2022, ora 18.00 p.m, deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.