Ukraina, një shans për Perëndimin

Nga Redi Shehu

Pak veta ishin të bindur se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës do të fillonte vërtet. Shembujt të cilët na vijnë nga e shkuara e afërt lidhur me Rusinë e re, tregonin se, për gjeopolitikën e Putin, Perëndimi përbënte një kundërshtar konstant dhe jo një partner paqeje. Në optikën e tij, Rusia si mision të vetin themelor për t’iu kthyer lavdisë së dikurshme të saj, do të duhej të kishte minimin e rendit liberal, si rendin dominant në botën e sotme, të udhëhequr nga SH.B.A-të. Për këtë, atij i duhej të prishte arkitekturën e këtij rendi, duke dëmtur kolonat kryesore të tij që janë institucionet ndërkombëtare si OKB, NATO dhe BE.
Por, ndryshe nga çfarë po ndodh sot, gjeopolitika ruse deri tani, pati ndjekur me besnikëri doktrinën e gjeneralit veteran të ushtrisë ruse, Valeri Gerasimov e cila përmblidhej në një metodologji të re e cila fshin kufinjtë që ekzistojnë mes luftës dhe paqes duke angazhuar teknologjitë e reja të cilat të lejojnë që lufta të dalë nga formati tradicional drejt një metode të re gjithpërfsihrëse të elemeneteve politikë, ekonomikë, mediatike dhe humanitare të saj.

Me pak fjalë, në tërë këto dimensione, sipas Gerasimov, lufta mund të nisë dhe mund të mbarojë pa u deklaruar kurrë si e tillë. Mjafton të kujtojmë ndërhyrjet direkte ruse në politikat evropiane, Brexit, Austri dhe më tej në zgjedhjet presidenciale në SH.B.A. Mjafton të kemi parasysh luftën ekonomike energjitike të Rusisë ndaj Evropës dhe pjesës tjetër të rajonit, po ashtu fushatat mediatike dhe informative ruse ndaj shteteve të tëra perëndimore. Gerasimov, mendonte se forcat speciale do të duhej të ndërhynin vetëm pjesërisht në ato zona për të “shpëtuar” nga ana humanitare rajone të shtypura si Abkhazia Jugore dhe Osetia, Krimea apo edhe rajonin e Donbas-it. Me të njëjtën doktrinë të Gerasimov, ushtria ruse veproi në Siri dhe Libi duke alternuar teknoligjitë me ndërhyrje të kufizuara “humanitare” nga toka për të mbajtur në këmbë diktatorë si Asadi dhe Haftari.

Nisur nga kjo metodologji, ishte e vështirë të besohej se Rusia, edhe pse kishte rreshtuar pothuaj dyqindmijë ushtarë në kufi me Ukrainën, do të dilte nga doktrina efikase Gerasimov drejt një lufte frontale me bazë të gjërë. Por tashmë kjo gjë ka ndodhur. Lufta ka filluar. Rusia ka braktisur doktrinën e vjetër duke rrëshqitur drejt doktrinës së re të Putin në marrëdhëniet ndërkombëtare, që sipas Sergey Karaganov, kreut të Këshillit për Politikat e Jashtme dhe të Mbrojtjes të Rusisë, thotë se Rusia e Putin ka hyrë në një epokë të re në politikat e jashtme, atë të “shkatërrimit konstruktiv” të marrëdhënieve të mëparshme me Perëndimin me qëllim që ta zbresin Sh.B.A-në nga një lider global në një “partner të arsyeshëm”. Ultimatumi i Rusisë ndaj Sh.B.A dhe NATO-s në fund të vitit të shkuar për të ndaluar infrastrukturën ushtarake të tyre në kufinjtë e Rusisë, shënoi edhe fillimin e epokës së “shkatërrimit konstruktiv” të marrëdhënieve të vjetra me Perëndimin dhe ndërtimin e një marrëdhëniejeje totalisht të re me një Rusi të re tashmë. Për të shkatërruar të vjetrën mes Perëndimit dhe Rusisë, dhe për të konstruktuar një sistem të ri ndërkombëtar të sigurisë i cili tashmë nuk duhet të jetë nën dominimin vetëm të Sh.B.A-ve.

Ukraina në këtë rast, përbën edhe vijën e kuqe nga ku nis edhe kjo doktrinë e re, por në të njëjtën kohë, Ukraina sot, përfaqëson edhe barrikadën e rendit të sotëm liberal ndaj përpjekjeve ruse për ta ndryshuar atë dhe për ta kthyer botën nga një sistem unipolar në të cilin ajo ndodhej, në një sistem bipolar apo multipolar nëse kemi paraysh edhe Kinën. Ndërkohë që rendi i liberal demokracive, vihet në rrezik nga kërcënimi i “shkatërrimit konstruktiv” rus, i cili qëllim final ka të ndryshojë esencën e tij, Ukraina merr një rëndësi të veçantë, sepse ajo nuk përfaqëson thjesht një shtet në luftë por, tashë ajo përfaqëson provën historike nëse rendi liberal i sotëm ka akoma fuqinë të dalë përtej vetes.
Vladimir Putin nuk besoj se është thjesh një njeri i çekuilibruar, ai dhe shpura e tij kanë një trashëgimi shekullore në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në njohjen e balancave të fuqive. Ai vetëm ka pritur gjithë këto vite duke përllogaritur milimetër për milimetër të çarat e rendit liberal, ka investuar përmes doktrinës Gerasimov në çdo fushë që t’i thellojë këto të çara sa më shumë dhe ka pritur që Perëndimi të vijë deri tek vija e tij e kuqe që është Ukraina për të ndryshuar strategji dhe për tu hedhur në sulm. Me një fitore të mundshme në Ukrainë, Putin me karta të reja në dorë, do ta detyronte Perëndimin të ulej në tryezën botërore të sigurisë me ndjesinë e fitores që do i jepte “shkatërrimi konstruktiv”, për të rikonfiguruar botën drejt një rendi të ri tashmë. Por, me sa duket deri më tani, ai që i ka bërë gabim llogaritë është vetë Putin.

Jo çdo e keqe vjen vetëm për keq. Jo çdo luftë është fatkeqësi. Lufta në Ukrainë është shansi i artë që i ka ngelur Perëndimit për të tregur fuqinë dhe efikasitetin e mekanizmit të tij gjigant. Në fakt, Perëndimit i duhej një konflikt i tillë, për ta shpëtuar atë nga përçarja dhe degradimi, ashtu siç edhe Putinit i duhej kjo luftë për të shpëtuar veten nga inferioriteti. Mobilizimi i të gjitha shteteve brënda aleancës së vlerave liberal demokratike, po tregon se “shkatërrimi konstruktiv” rus mund të kthehet në një “konstruksion shkatërrues” për Putin dhe vetë shoqërinë ruse të marrë peng prej tij.

E gjithë kjo situatë, nëse arrin të lexohet ashtu siç duhet nga rendi i sotëm liberal, mund të shërbejë si moment nga i cili do të mund të shërojë simptomat e degradimit të tij. Këto simptoma janë evidentuar aq qartë nga John Mearsheimer në Harvard Kenedy School, i cili i rendit duke filluar nga mania absurde e këtij rendi për të ndërhyrë deri në detajet e politikave të vendeve të tjera, më pas tek gabimi me vendet aleate të demokracive liberale duke u përplasur me identetitet nacionale të tyre, si dhe me hiperglobalizimin si promotor i pabarazive të mëdha sociale ne botë. Vërtet, Ukraina mund të shërbejë si një moment historik që rendi i sotëm të mund ta rimodelojë mënyrën se si sillet me aleatët e vet si dhe me vendet e tjera që aspirojnë të njëjtin qëllim, duke treguar më shumë respekt për identitetet kombëtare, traditat si dhe sovranitetin e vendeve të tjera, larg arrogancës ideologjike, por duke i dhënë hapësirë më të madhe një aleance më të gjërë dhe shumëngjyrëshe. Kështu, nuk do të mund të kërcënohej si nga përçarja e brëndëshme ashtu edhe nga sulmet e jashtme.