Lulzim Basha i është përgjigjur Gazment Bardhit i cili ka thirrur një tryezë për të unifikuar aksionin opozitar anti-qeveri.
Në Kolegjin e Kryetarëve këtë të martë, Basha deklaroi se koha kur vendimet për demokratët i merrte një grusht njerëzish ka marrë fund dhe se ai nuk do të lejojë askënd të cenojë interesat e Partisë Demokratike.
Kryedemokrati tha se kushdo që nuk reflekton dhe nuk bashkohet me demokratët duhet të largohet në bunkerët anti-amerikanë sepse kjo është një betejë për të mbrojtur interesat jo vetëm të demokratëve, por gjithë shqiptarëve dhe jo për të mbrojtur interesa personale politike.
“Koha kur vendimet për demokratët i merrte një grusht njerëzish mori fund me vendimet e marra nga përfaqësuesit e demokratëve në Kuvendin Kombëtar të 2 shtatorit, ndaj do ta them fare hapur. Unë nuk do të lejoj askënd të luajë me interesat politike të Partisë Demokratike që kërkon të çojë demokratët symbyllurazi nëpër hullitë e nongratave sepse ne hymë në këtë betejë për të mbrojtur interesat e Partisë Demokratike si interesat euroatlantike, jo thjesht të demokratëve, por të shqiptarëve. I mbrojtëm me çmim të lartë dhe me sakrifica të larta rreshtimin tonë krah këtyre vlerave ndaj do të qëndrojmë fuqimisht për këto vlera. Nuk do të reshtim dhe nuk do të humbasim durimin tonë për të ftuar këdo që të reflektojë e të jetë pjesë e këtyre vlerave, por për ata që kanë vendosur t’i trafikojnë këto vlera në këmbim të komoditetit të rremë politik apo personal, udha e mbarë i qoftë në bunkerin anti-amerikan, Partinë Demokratike nuk e dëmtojnë më,” – u shpreh Basha.