Turqia rihap xhamitë dhe kishat në Sirinë veriore

Pas riparimit të dëmit të shkaktuar nga terroristët e YPG/PKK-së që më parë kishin pushtuar rajonin, Turqia ka rihapur xhamitë dhe kishat në Sirinë veriore për t'u shërbyer besimtarëve

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë publikoi një video në të cilën shfaqet rihapja e xhamive dhe kishave në qytetet Tal Abyad dhe Ras al-Ayn në Sirinë veriore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas riparimit të dëmit të shkaktuar nga terroristët e YPG/PKK-së që më parë kishin pushtuar rajonin, Turqia ka rihapur xhamitë dhe kishat në Sirinë veriore për t’u shërbyer besimtarëve.

“Ushtarët tanë heronj tregojnë respekt për të gjitha besimet dhe vlerat, si dhe janë garantues të lirisë”, thuhet në postimin e ministrisë në twitter.

“Turqët, kurdët, arabët, ne të gjithë jemi muslimanë. Ne duam që populli ynë të kthehet”, tha një besimtar në videon e publikuar pas faljes së namazit të xhumasë në xhaminë Iman në Tal Abyad.

Pamjet shfaqin Kishën Ortodokse Asiriane dhe Kishën Katolike Siral në qytetin Ras al-Ayn, si dhe Kishën Ortodokse Armene në Tal Abyad, të cilat aktualisht janë të hapura për besimtarët pasi u çliruan nga terroristët e YPG/PKK-së gjatë operacionit të fundit kundër-terrorist turk në rajon.

“Ne jemi shumë të lumtur dhe të kënaqur. Ne erdhëm këtu që të lutemi dhe të kryejmë shërbimin tonë të së dielës. Falë Zotit, nuk ka asnjë problem. Ne jemi të lirë”, tha një grua ortodokse.

I nisur më 9 tetor, operacioni “Burimi i Paqes” synon të eliminojë elementët terroristë të YPG/PKK-së nga Siria veriore në lindje të lumit Eufrat në mënyrë që të ndihmojë në kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe të garantojë integritetin territorial të Sirisë.

Më 17 tetor, Ankaraja u pajtua me Washingtonin të pauzojë operacionin e saj për të lejuar terroristët e YPG/PKK-së të tërhiqen nga zona e sigurt e planifikuar.

Më 22 tetor, Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje sipas të cilës YPG/PKK-ja të tërhiqet 30 kilometra në jug nga kufiri i Turqisë me Sirinë, ndërsa forcat e sigurisë turke dhe ruse të kryejnë patrullime të përbashkëta.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë e foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.