“Turqia ka qenë dhe mbetet një partner strategjik i rëndësishëm i Shqipërisë”

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Anila Denaj, gjatë fjalës në forumin e biznesit Turqi-Shqipëri theksoi se Turqia ka qenë dhe mbetet një partner strategjik i rëndësishëm i Shqipërisë në rajon dhe më gjerë...

Forumi i biznesit dhe investimeve Turqi-Shqipëri ka mbledhur së bashku zyrtarë të lartë, ambasadorë, përfaqësues të dhomave të biznesit dhe sipërmarrës, për të diskutuar mbi mundësitë e rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Tregtisë e Turqisë, Ruhsar Pekcan, gjatë fjalës në forum tha se qëllimi është që në marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve të ketë një bashkëpunim të rëndësishëm.

“Nëpërmjet shteteve tona, institucioneve tona shtetërore dhe bizneseve ne shpresojmë të marrim rezultate më të mira. Në një periudhë të tillë të pandemisë, ky solidaritet dhe bashkëpunim e ka bërë edhe më të rëndësishëm këtë. Këto marrëdhënie miqësore do t’i reflektojmë edhe në marrëdhëniet në fushën tregtare dhe ekonomike”, theksoi ministrja turke.

Ajo theksoi se Shqipëria ka një perspektivë të zhvillimit të shpejtë dhe është një vend ortak që ofron potenciale të mëdha. “Në kuadër të kësaj sa i përket marrëdhënieve tona është e rëndësishme t’i zhvillojmë ato edhe më shumë. Midis vendit tonë dhe Shqipërisë vëllimi tregtar vjen duke u rritur nga viti në vit dhe ka ardhur deri në gjysmë miliardi dollarë. Marrëdhëniet për investimet me Shqipërinë ne i vlerësojmë shumë të rëndësishme”, u shpreh më tej ministrja Pekcan.

“Uroj që forumi të shërbejë për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike midis dy vendeve tona”, theksoi ministrja Pekcan.

“Turqia ka qenë dhe mbetet një partner strategjik i rëndësishëm i Shqipërisë në rajon dhe më gjerë”

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Anila Denaj, theksoi se Turqia ka qenë dhe mbetet një partner strategjik i rëndësishëm i Shqipërisë në rajon dhe më gjerë.

Ajo u shpreh se marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Turqisë janë të shkëlqyera dhe duke iu referuar mbështetjes për banesat për familjet e prekura nga tërmeti shtoi se “Turqia ka dëshmuar se është një vend mik, i cili na është gjendur në çdo moment të vështirë”.

Duke iu referuar vizitës së delegacionit shqiptar në Turqi, të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, ajo tha se “Nënshkruam deklaratën e përbashkët politike. Kjo deklaratë konfirmoi shprehjen e vullnetit të plotë për hapjen e një kapitulli të ri të marrëdhënieve midis vendeve tona. Krijimi i Këshillit të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit do të hapë rrugën për mbledhjen e parë të përbashkët të të dy qeverive. Turqia është një partner kryesor tregtar i Shqipërisë dhe Shqipëria i jep prioritet zgjerimit të marrëdhënieve ekonomike”.

“Vizita e delegacionit shqiptar në Ankara ishte një vizitë historike”

I pranishëm në këtë forum ishte edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, i cili në fjalën e tij theksoi se qëllimi këtij forumi është për të hapur dritare të reja dhe për të hedhur hapa konkrete në bashkëpunimin ekonomik.

“Vizita e delegacionit shqiptar në Ankara ishte një vizitë historike në marrëdhëniet mes dy vendeve, sepse marrëdhëniet politike u rritën në partneritet strategjik. Mund të themi që marrëdhëniet tona të përkryera u vendosën në një infrastrukturë ligjore. Ekonomia, tregtia, energjia, infrastruktura dhe transporti janë strategjitë tona në të ardhmen midis dy vendeve”, Yörük.

Ambasadori turk tha se Turqia është investitori i huaj më i madh në Shqipëri dhe kompanitë turke janë të fokusuara në fushën e minierave, energjisë, telekomunikacion, banka, arsim, ndërtim dhe në shumë fusha.

Ambasadori i Shqipërisë në Ankara, Kastriot Robo, tha se bizneset turke që operojnë aktualisht në Shqipëri janë biznese elitare, të niveleve më të larta të mundshme, në mënyrë të veçantë sipas tij ato në fushën e bankave, telekomunikacionit, energjetikës, dhe minierave. “Unë jam optimist dhe shpresëplotë që ne me gjithë këto përpjekje të përbashkëta që po bëjmë me siguri do të krijojmë mundësi më të mëdha prezence dhe të rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes vendeve tona. Aktualisht ekonomia shqiptare përsëri ofron mundësi të mëdha investimesh në fushën e turizmit, infrastrukturës, energjisë, bujqësisë dhe shumë fusha të tjera”, tha Robo.

“Shqipëria është e rëndësishme nga pikëpamja gjeografike”

Kryetari i Unionit Turk të Odave dhe Bursave (TOBB), Rifat Hisarcıklıoğlu, theksoi se lidhja miqësore midis Shqipërisë dhe Turqisë është shumë e vjetër dhe marrëdhëniet bilaterale janë rritur në partneritet strategjik.

“Shqipëria është e rëndësishme edhe nga pikëpamja gjeografike edhe nga marrëdhëniet që ka me Bashkimin Evropian. Ne e kemi mbështetur procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Në 10 vitet e fundit vëllimi i tregtisë tonë është rritur dyfish dhe duam që këtë ta arrijmë në nivel dy miliardë dollarë”, u shpreh Hisarcıklıoğlu.

Ines Muçostepa, kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, theksoi se Turqia është një nga partnerët më të ngushtë të Shqipërisë.

“Forcimi i marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, rritja e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve reciproke, promovimi i zhvillimit në aktivitetet e përbashkëta, misionet tregtare, forumet, konferencat, janë misioni i punës tonë të përbashkët. Turqia është partner i katërt tregtar për Shqipërinë me një volum shkëmbimesh prej 450 milionë dollarë, me një stok investimesh prej 3,5 miliardë dollarë. Shkëmbimet tregtare midis vendeve tona janë të qëndrueshme, ndërkohë që ekzistojnë mundësi mjaft të mëdha për zgjerimin e tyre”, tha Muçostepa.

Forumi online organizua nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë në bashkëpunim me Unionin Turk të Odave dhe Bursave (TOBB), dhe gjithashtu nën kujdesin e Ambasadës se Turqisë në Tiranë dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi (ATTSO).

Pjesëmarrës në forum ishin edhe përfaqësuesit e biznesit nga Shqipëria dhe Turqia, të cilët zhvillojnë aktivitetin e tyre në sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në Shqipëri, duke diskutuar mbi mundësitë e investimeve dhe bashkëpunimeve konkrete.