Turqi, Bahçeli thirrje për përpjekje të përbashkëta për Kushtetutën e re

"Duhet të ketë një konsensus të gjerë për të shkruar Kushtetutën e re në përputhje me frymën e sistemit presidencial", tha udhëheqësi i Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli

Udhëheqësi i Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, u bëri thirrje kolegëve të tij të bashkohen në hartimin e një Kushtetute të re, raporton Anadolu Agency (AA).

“Është e nevojshme të fshihen gjurmët e sistemit parlamentar, të pastrohen mbetjet e tij. Duhet të ketë një konsensus të gjerë për të shkruar Kushtetutën e re në përputhje me frymën e sistemit presidencial”, i tha Bahçeli grupit parlamentarit të Partisë së tij.

Opinioni turk vendosi të kalojë në sistem presidencial në një referendum në prill të vitit 2017.

Në qershor të vitit 2018, Recep Tayyip Erdoğan, u rizgjodh president. Ai u bë presidenti i parë i Turqisë sipas sistemit të ri.

Zyrtarët turq kanë njoftuar përfitimet e sistemit të ri, duke thënë se ai eliminon joefikasitetet dhe mundëson punën më të lehtë të administratës.

Duke kujtuar se qëndrimi i partisë së tij ka qenë “shumë i qartë” për këtë çështje, Bahçeli tha se partitë e tjera po ashtu kërkonin një Kushtetutë të re.

“Partia e Lëvizjes Nacionaliste është në procesin e hartimit të Kushtetutës që nga fillimi dhe ka filluar punën e saj me sinqeritet dhe pa paragjykime”, shtoi ai.

Deklaratat e tij vijuan pas thirrjes së Erdoğan-it për një Kushtetutë të re javën e kaluar.

Erdoğan theksoi se puna kushtetuese duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe teksti përfundimtar duhet t’i paraqitet popullit.