Türkiye, mbi 7.100 persona humbën jetën nga tërmetet e fuqishme

Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) ka bërë të ditur se të paktën 7.108 persona humbën jetën dhe 40.910 të tjerë u plagosën në Türkiye pas dy tërmeteve të forta që goditën pjesën jugore të vendit, raporton Anadolu.

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë, me qendër në provincën Kahramanmaraş, goditën 10 provinca dhe prekën më shumë se 13 milionë njerëz.

Disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin, ndjenë dy tërmetet e mëdha që goditën Türkiye-n në më pak se 10 orë.

Më shumë se 96.670 zyrtarë të urgjencës po kryejnë aktualisht operacione në terren, bëri të ditur AFAD.

“Si rezultat i negociatave me Ministrinë e Jashtme të Türkiye-s, 5.309 zyrtarë që vijnë nga vende të tjera për të ndihmuar u dërguan në zonën e fatkeqësisë”, thuhet në deklaratë.

Përveç ekipeve të shpëtimit, në zonat e prekura janë dërguar edhe batanije, tenda, ushqime dhe ekipe të mbështetjes psikologjike.

AFAD bëri të ditur se gjithsej 70.818 tenda familjare u ngritën për strehimin e të mbijetuarve.

Gjithashtu bëhet e ditur se në zonën e fatkeqësisë u dërguan 5.434 automjete, duke përfshirë ekskavatorë, traktorë dhe buldozerë.

Në mënyrë që operacionet e kërkim-shpëtimit të kryhen me shpejtësi, Türkiye dje shpalli gjendje të jashtëzakonshme për tre muaj në 10 provinca, duke përfshirë provincat: Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Gaziantep, Hatay, Kahramanmaraş, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Şanlıurfa.

“Ne po përballemi me një nga fatkeqësitë më të mëdha jo vetëm të historisë së Republikës së Türkiye-s, por edhe të rajonit tonë dhe të botës”, tha dje presidenti Recep Tayyip Erdoğan.

Türkiye ka shpallur shtatë ditë zi kombëtare pas tërmeteve shkatërruese.

Të gjitha aktivitetet sportive në vend janë pezulluar deri në një njoftim të ri. Të gjitha shkollat në Türkiye do të mbyllen deri më 13 shkurt, ndërsa arsimi në 10 provincat e prekura do të pezullohen deri më 20 shkurt.

Pas tërmeteve, e gjithë bota dërgoi ngushëllime duke shprehur solidaritet me Türkiye-n, ndërsa shumë vende dërguan ekipe shpëtimi dhe ndihma.

Türkiye krijon “korridorin e ndihmës ajrore”

Pas tërmetit, një “korridor i ndihmës ajrore” u krijua nga Forcat e Armatosura Turke për të dërguar ekipet e kërkim-shpëtimit në rajon.

“Ne mobilizuam avionët tanë për të dërguar ekipet mjekësore, ekipet e kërkim-shpëtimit dhe automjetet e tyre në zonën e tërmetit. Ne kemi maksimizuar gatishmërinë e avionëve për të ofruar shërbimin e nevojshëm të transportit”, tha ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar.

Një numër i madh avionësh transporti, përfshirë një A-400M i Forcave të Armatosura Turke, filluan të dërgojnë ekipe dhe automjete të kërkim-shpëtimit në rajon. Akar tha se avionët e ambulancës po ashtu po përdorin “korridorin e ndihmës ajrore”.

Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, tha se një numër i mjaftueshëm ekipesh mjekësore nga të 81 provincat janë në detyrë në zonat e fatkeqësisë dhe vazhdojnë shërbimet e tyre të kërkim-shpëtimit dhe ato shëndetësore.

AFAD njoftoi se personeli dhe materialet e shpëtimit dhe ndihmës u dërguan në rajon nga Istanbul-i, Ankaraja dhe Izmiri me 121 avionë.

Gjithsej 10 anije u caktuan në rajon për dërgimin e personelit dhe materialeve, si dhe për evakuim.