Turistë të shumtë shijuan fluturimin me balona në Kapadokya në ditën e parë të vitit 2023

Në ditën e parë të vitit të ri 2023, turistë të shumtë kanë shijuar fluturimin me balona në Kapadokya-n e famshme në Nevşehir të Türkiye-s, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhjetëra balona shumëngjyrëshe mund të shiheshin tashmë herët në mëngjes në qiellin mbi Kapadokya. Balona me ajër të nxehtë në forma dhe ngjyra të ndryshme fluturuan në qiell mbi një nga peizazhet më të bukura në botë.

Çdo vit, Kapadokya, e cila është në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, vizitohet nga disa milionë turistë nga e gjithë bota, dhe ndodh që tashmë në mëngjes fluturojnë në qiell rreth njëqind balona, ​​ku secili mund të mbajë deri në 20 persona. Shumë turistë vendas dhe të huaj vizitojnë Kapadokya-n për të shijuar peizazhet e bukura.

Në pesë vitet e fundit, më shumë se 14 milionë turistë vizituan muzetë dhe monumentet e tjera në rajon.

Kapadokya është një nga destinacionet turistike më të famshme në Türkiye, ku bukuria e natyrës dhe historisë bashkohen, duke formuar një nga peizazhet më të bukura në botë, e cila u krijua nga erozioni i hirit vullkanik.

Ndërsa lëvizjet gjeologjike kanë formuar oxhaqe të bardha zanash, njerëzit kanë lënë gjurmë të qytetërimeve në Kapadokya gjatë historisë, duke ndërtuar shtëpi në shkëmbinj dhe duke i kthyer ato në kryevepra.