Trump: Problemi më i madh në botë “ngrohja bërthamore”

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump pretendon se “ngrohja bërthamore” është problemi më i madh me të cilin përballet bota, e cila madje shkon edhe përtej çështjes së ngrohjes globale, transmeton Anadolu.

“Askush nuk po flet për bërthamoren, problemin më të madh që kemi në të gjithë botën. Nuk është ngrohja globale, është ngrohja bërthamore”, i tha Trump prezantuesit të “Fox News” Tucker Carlson në një intervistë që u transmetua të martën mbrëma.

Siç tha ai, nuk është e nevojshme të presim 200 deri në 300 vjet që të shihen pasojat e ngrohjes bërthamore. “Duhet vetëm një i çmendur dhe është vetëm çështje sekondash”, tha ai.

Trump shprehu shqetësim për armët bërthamore të Rusisë dhe ndikimin e tyre në Ukrainë. “Nëse ai (presidenti rus Vladimir Putin) vendos të përdorë formën tjetër të tij të shkatërrimit, që është bërthamor, ky është fundi”, shtoi ai.

Trump u pyet gjithashtu nëse do të tërhiqej nga gara presidenciale në vitin 2024 nëse dënohet për krimet për të cilat akuzohet. Ai u përgjigj se nuk do të dorëzohej në asnjë rrethanë. “Nuk do të dorëzohem kurrë. Nuk veproj kështu unë. Nuk do ta bëja këtë”, shtoi ish-presidenti amerikan.

Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, e paditi Trumpin javën e kaluar për 34 akuza lidhur me dyshimet për përfshirjen e tij në pagesën e “parave të fshehta” për ish-aktoren Stormy Daniels përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.