Tregu i Kosovës mbushet me para false

Qytetarët e Kosovës janë bërë viktimë e mashtrimit edhe në para të imta, pasi falsifikatorët kanë futur në treg me shumicë edhe monedhën prej 2 euro të falsifikuar.

Kohët e fundit janë shpeshtuar rastet e shpërndarjes së parave false në Kosovë dhe për këto raste thuajse çdo ditë raportohet në polici. Vetëm gjatë muajit janar janë raportuar 70 raste. Ndërsa gjatë vitit të shkuar me para false janë raportuar 497 raste.

Viteve të fundit në Kosovë është rritur ndjeshëm fenomeni i falsifikimit të parave.

Plot 567 raste të tilla janë identifikuar nga Policia e Kosovës vetëm gjatë vitit 2020 dhe gjatë muajit janar 2021.

Sipas Policisë së Kosovës, vetëm gjatë vitit 2020 në Kosovë kanë ndodhur 497 raste të falsifikimit të parave.

“Mund të konfirmojmë se gjatë vitit të kaluar raste të parave të falsifikuara janë 497. Parat e falsifikuar janë të sasive te ndryshme. Më së shumi ka pasur raste me nga 2 euro, dhe 200 euro”.

Ndërkaq edhe gjatë vitit 2021 ka vazhduar ky fenomen.

“Në muajin janar të këtij viti, janë raportuar 70 raste të falsifikimit të parasë”. thonë nga Policia e Kosovës.

Monedhat më të falsifikuara në Kosovë janë: 500 euro, 200, euro, 100 euro, 50 euro.

“Ngjashëm me vitin paraprak gjatë edhe në gjatë vitit 2020 kartëmonedhat më të falsifikuara kanë qenë kartëmonedhat në prerje prej 100 euro dhe 50 euro. Si para të falsifikuara në Kosovë kanë qarkulluar edhe monedhat prej 500 euro, 200 euro, 10 euro dhe 5 euro”, kanë treguar në BQK.

Qytetarët e Kosovës janë bërë viktimë e mashtrimit edhe në para të imta, pasi falsifikatorët kanë futur në treg me shumicë edhe monedhën prej 2 euro të falsifikuar.

Në Bankën Qendrore të Kosovës kanë treguar se kjo monedhë është me e falsifikuar gjatë vitit të kaluar.

Me falsifikatorët e parave është duke u marrë thuajse çdo ditë edhe Policia e Kosovës. Në këtë institucion kanë treguar se intervenojnë në çdo rast që raportohet për para të falsifikuara.

“Policia e Kosovës në funksion të realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore, ka ndërmarrë veprime të vazhdueshme për zbatimin e planeve policore, luftimin e dukurive negative, krimin organizuar si dhe reduktimin aktiviteteve ilegale në përgjithësi, të cilat mund të ndikojnë edhe në mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas nenit 302 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, andaj kushdo që prodhon, transporton, pranon, përdor ose posedon paranë e falsifikuar me qëllim që ta vërë në qarkullim si të vërtetë dënohet me gjobë ose burgim.

Sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Nenit 19 – Valuta false, kartëmonedhat dhe monedhat e paraqitura tek institucionet financiare, që dyshohen të jenë false, duhet të tërhiqen nga qarkullimi dhe menjëherë t’u dorëzohen autoriteteve përgjegjëse për këtë.