Tregu i celularëve, fituesit dhe humbësit – Vodafone bie, por dominues

Edhe gjatë vitit të shkuar Vodafone Albania ka vinuar të zërë peshën më të madhe të tregut të shërbimeve mobile, megjithëse ka humbur terren në disa tregues, i ndjekur nga One Telecommunications në vend të dytë, i cili ka shënuar rritje. Albtelecom.sha renditet në vendit e tretë, duke shënuar edhe një rënie të lehtë të treguesve kryesore përgjatë vitit të shkuar. Scan Televizion ka zbardhur treguesit kryesorë të tregut, bazuar në raportet zyrtare të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Rezulton se edhe gjatë vitit 2021, sipërmarrësi Vodafone Albania vazhdon të jetë operatori me pjesën më të madhe të tregut për të gjithë treguesit kryesorë të shërbimeve të komunikimeve elektronike mobile, megjithëse ka shënuar rënie të lehtë për pjesën më të madhe të këtyre treguesve krahasuar me vitin 2020.

Konkretisht, Vodafone Albania sh.a mbulon rreth 44% të pjesës së tregut për përdoruesit e SIM card nga rreth 47% në vitin 2020; rreth 50% të tregut për thirrjet dalëse, nga rreth 53% në vitin 2020; rreth 56% të tregut për volumin e të dhënave (internetit) nga rreth 64% në vitin 2020. Vodafone zë 53% dhe 54% të tregut përkatësisht të të ardhurave totale dhe nga shërbimet me pakicë;

Sipërmarrësi One Telecommunications, ka vijuar rritjen në treguesit kryesor gjatë vitit 2021 Konkretisht, ai zuri rreth 40% të pjesëve të tregut për përdoruesit e SIM card, nga rreth 37% në vitin 2020; rreth 39% të tregut për thirrjet dalëse mobile, nga rreth 34% në vitin 2020; rreth 32% të tregut për volumin e të dhënave (internetit) nga rreth 23% në vitin 2020.

One Telecommunications rriti në rreth 34% dhe 33% të tregut përkatësisht të të ardhurave totale dhe ato nga shërbimet me pakicë, nga rreth 31% për të dy treguesit në vitin 2021. Ndërkaq operatori Albtelecom sha,, gjatë vitit 2021 nuk ka mundur të përmirësojë pozitat e tij në treg, madje ka shënuar rënie të lehtë të treguesve kryesorë krahasuar me vitin 2020.

Rënien më të ndjeshme e ka shënuar për treguesin e thirrjeve dalëse: rreth 15% të pjesës së tregut për përdoruesit e SIM card aktivë, duku shёnuar ulje me 1 pikё pёrqindje krahasuar me vitin 2021; rreth 11% të tregut për thirrjet dalëse mobile, nga rreth 13% në vitin 2020; rreth 12% të tregut për volumin e të dhënave (internetit), nga rreth 13% në vitin 2020. Kompania arkëtoi rreth 13% dhe 14% të tregut përkatësisht të të ardhurave totale dhe ato nga shërbimet me pakicë nga rreth 14% për të dy treguesit në vitin 2021.