Trefishohet numri i azilkërkuesve nga Lindja e Mesme në Kosovë

Zoti Zariqi thotë se shumica prej tyre vijnë nga Siria, Iraku, Algjeria, Palestina, Maroko dhe shumë shtete tjera të lindjes. Ai tregon rrugën që ndjekin këta emigrantë deri në Kosovë.

Në qendrën për azil të qeverisë së Kosovës aktualisht po qëndrojnë rreth 85 azilkërkues që vijnë kryesisht nga Siria dhe Iraku. Sipas autoriteteve gjatë këtij viti numri i azilkërkuesve nga këto vende është shtuar shumë.

“Krahasim me vitin e kaluar kemi një rritje trefish më shumë. Në vitin e kaluar kemi pasur gjithsej 594 kërkesa për azil ose parashtrues të kërkesës për azil ndërsa sivjet deri më tani kemi 1934 parashtrues të kërkesës për azil”, tha Fitim Zariqi që udhëheq qendrën për strehim në komunën e Lipjanit, rreth 20 kilometra në jug të Prishtinës.

Por, shumica nga strehimkërkuesit tashmë kanë lëshuar Kosovën. Strehimkërkuesit nga Lindja e mesme po e shfrytëzojnë rrugën nëpërmjet Kosovës që të kalojnë në vendet e Bashkimit Evropian.

Zoti Zariqi thotë se shumica prej tyre vijnë nga Siria, Iraku, Algjeria, Palestina, Maroko dhe shumë shtete tjera të lindjes. Ai tregon rrugën që ndjekin këta emigrantë deri në Kosovë.

“Diku nga 80 deri 90 për qind hyjnë nga territori i Shqipërisë, pra Turqi, Greqi, Shqipëri dhe në Kosovë. Ka që lëvizin edhe nga Greqi-Maqedoni-Kosovë, kemi edhe nga Serbia që hyjnë në Kosovë por edhe nga Mali i Zi por kemi edhe në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës. Nëse flasim për gjininë, mbi 80 për qind janë meshkuj, rreth 80 për qind janë të moshës rreth 30 vjeçare, mbi 97 për qind nëse flasim nga spekti fetar, janë të besimit islam. Nëse themi nga aspekti i hyrjes legal ose illegal janë mbi 95 për qind që kanë hyrë në territorin e Kosovës në mënyrë ilegale dhe nëse flasim për ditët e qëndrimit në Kosovë sillet rreth 12 ditë”, tha zoti Zariqi.

Njëri nga emigrantët në këtë qendër është edhe 30 vjeçari Isam Nori Abohalab, që vjen qyteti Deir ez-Zur, në Siri. Ai thotë se në Kosovë ka ardhur së bashku me vëllanë e tij, ndërsa pjesa tjetër e familjes ndodhet në Turqi.

“Ne kemi qenë në luftë për kohë të gjatë kundër ISIS, kanë qenë koha shumë të rënda dhe e vështirë për të gjithë ne. Falënderoj të gjithë njerëzit këtu që na kanë ndihmuar për të jetuar në Kosovë”, tha ai.

“Unë erdha në Kosovë për të gjetur një vend për t’u ndjerë i sigurt. Së pari kam shkuar në Greqi, por atje nuk gjeta asgjë dhe pastaj vendosa të vijë në Kosovë pasi që është vend shumë i mirë nëse e krahasojmë me vende tjera”, tha Isam Nori Abohalab.

Ai thotë se në Greqi ka qëndruar tetë muaj, prej nga pastaj ka shkuar në Shqipëri, ku ka qëndruar rreth një muaj. Isam Nori Abohalab thotë se në Kosovë ka ardhur para gjashtë muajsh.

“Tani për tani kam vendosur të rri këtu dhe të filloj një jetë të re. Kam bërë shumë shokë në Kosovë, jam duke e mësuar gjuhën dhe pastaj të gjejë një vend pune, por të gjitha këto pasi të përfundoj procedurat këtu në qendrën e strehimit”, tha ai.

Rritja e numrit të strehimkërkuesve nga vendet e Lindjes së Mesme që kalojnë nëpërmjet Kosovës, sipas ekspertëve, është pasojë e forcimit të kontrolleve në kufirin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Skender Përteshi nga Qendra e Kosovës për studime të sigurisë thotë se vendi aktualisht nuk rrezikohet nga emigrantët.

“Rritja e numrit që vijnë nga Lindja e mesme nuk përbën rrezik direkt për sigurinë kombëtare të Kosovës dhe kjo është më shumë rrezik për vet ata individ të cilët kalojnë rreziqe të mëdha për të kaluar kufijtë ilegalisht nëpërmjet organizatave apo individë që janë pjesë e grupeve të organizuara që bëjnë transportimin e tyre nëpër Serbi dhe vende tjera”, tha zoti Përteshi.

Ai thotë se megjithatë autoritetet duhet të shtojnë kujdesin për të parandaluar ndonjë valë të madhe të emigrantëve.

“Qendrat e zbatimit të ligjit, ministria e brendshme dhe institucionet tjera relevante duhet të rrisin vigjilencën në këtë drejtim sepse madje Kosova nuk ka edhe shumë kapacitete qoftë në qendra të azilit ose qendra tjera që mundet me përballu një fluks më të madh të njerëzve që mund të kërkojnë azil ose të përdorin Kosovën si vend transit mirëpo këta individë ose si pjesë e këtyre grupeve mund të vijnë edhe individ tjerë që ndoshta mund të kenë qëllime të ndryshme jo ndaj shtetit të Kosovës direkt por ndaj vendeve të Bashkimit Evropian”, tha zoti Përteshi.

Fitim Zariqi nga qendra për strehim thotë se shumica e emigrantëve tashmë e kanë lëshuar territorin e Kosovës duke shkuar nëpër vende tjera. Ai shpjegon procedurat e pranimit të tyre.

“Sipas procedurës ligjore, në rastin e kërkimit të azilit në kufi në një stacion policor ose në qendrën për azil ata pastaj akomodohen në këtë objekt ose objekte tjera të ministrisë së Punëve të Brendshme, pajisen me një çertifikatë për azil brenda tri ditëve, brenda shtatë ditësh pajisen me letërnjoftim për azil, pastaj janë të lirë të lëvizin të lirë në gjithë territorin e Kosovës në rast se nuk ju ka ndalu për çështje të caktuara ose me kërkesë të gjykatësit, prokurorit ose organeve të rendit. Ata janë të lirë të lëvizin nga ora 7 deri në ora 22. Në ora 22 duhet të kthehen në qendër, në rast se nuk kthehen atëherë qendra për azil njofton policinë kufitare, policinë e migrimit që personi nuk është kthyer në qendrën për azil dhe nuk dihet vendodhja e tij”, tha zoti Zariqi.

Isam Nori Abohalab thotë se në Kosovë njerëzit e kanë mirëpritur dhe se ndjehet sikur në shtëpi. Ai shpreson që të mos vijnë shumë emigrant në Kosovë në mënyrë që të mos përkeqësohet gjendja.

“Janë pak refugjatë këtu dhe është mirë, nëse vijnë me mijëra sikurse në Greqi ndoshta situata do të përkeqësohej edhe këtu dhe shpresoj që qeveria e Kosovës ka zgjidhje për një gjë të tillë. Tani për tani, Kosova po e menaxhon mirë situatën”, tha ai. /VoA