Tre modelet e ndërtimit të shquarsisë në gjuhën shqipe

Nga Nimet Gallube

Shquarsia është kategori gramatikore, por nga ana tjetër është edhe kategori sematike. Gjuhësia gjenerative e Çomskit i mohon lidhjet e gramatikës me semantikën – të paktën në fillimet e lëvrimit të saj – aq sa ai shprehej se të pyesësh: “Si mund të ndërtohet një gramatikë pa iu drejtuar kuptimit?” është njësoj si të bësh pyetjen: “Si mund të ndërtohet një gramatikë pa ditur ngjyrën e flokëve të folësve të saj?”
Megjithatë, në studimet e tija të mëvonshme ai mban një qëndrim më pozitiv ndaj rolit ndikues të semantikës në gramatikën e një gjuhe. Sido që të jetë, fakti që fjalia është në të njëjtën kohë edhe njësi sintaksore, edhe njësi kumtuese (përçon një njësi të vetme kuptimore) është tregues i ndërlidhjes së gramatikës me semantikën.
Në aspektin gramatikor shquarsinë mund ta përkufzojmë si “vendosja e nyjës (shquese) në fund të temës emërore”, ndërsa në pikëpamjen semantike si “diferencimi apo veçimi i një objekti nga objektet e tjera të po asaj klase (kategorie).”
Nga përkufizimi i parë kemi:
(një) djalë – djali                               (një) mi – miu
(një) vajzë – vajz                           (një) lule – lulja

Për të sqaruar përkufizimin e dytë do marrim një shembull për ilustrim:

Në klasën e tyre hyri një djalë fytyrëngrysur. Nga pamja djali dukej se ishte i zgjuar.

Në fjalinë e parë emri “djalë” tregon një person çfarëdo të mundshëm i cili nuk njihet nga marrësi, kurse në fjalinë e dytë emri “djali” tregon një person për të cilin dihet se bëhet fjalë, pra ai tashmë është i njohur për marrësin, është i veçuar nga kategoria e të gjithë djemve të mundshëm, të çfarëdoshëm.
Nga sa thamë më sipër, kuptojmë se shquarsia ndërtohet nëpërmjet mënyrës gramatikore (morfologjike), sintetike të vendosjes së nyjës shquese në fund të emrit. Por kjo nuk është mënyra e vetme e shquarjes së emrit në gjuhën shqipe. Ka gjithashtu një mënyrë analitike, sintakso-semantike të ndërtimit të shquarsisë tek emrat…

Shquarsia nëpërmjet përemrit

Në gjuhën shqipe, përveç mënyrës me nyjë të prapavendosur, shquarja e emrit mund të bëhet edhe nëpërmjet pranëvënies së përemrit. E kam quajtur këtë mënyrë sintakso-semantike për dy arsye:
sintaksore, sepse përemri dhe emri në këtë rast përbëjnë një sintagmë ose një togfjalësh dhe kanë marrëdhënie përcaktore;
semantike, sepse emri, edhe duke mos qënë gramatikisht i shquar (duke mos e pasur nyjën shquese), është i tillë kuptimisht. Për ta lehtësuar të kuptuarit e kësaj që u tha, po përpiqem të ndërtoj mbi shembullin që u dha më sipër:

“Në klasën e tyre hyri një djalë fytyrëngrysur. Nga pamja ai djalë dukej se ishte i zgjuar.”

Në fjalinë e dytë të tekstit të mësipërm togfjalëshi “ai djalë” është i shquar, sepse tregon një person të veçuar nga tërësia e personave të çfarëdoshëm dhe këtë shquarsi togfjalëshit ia jep përemri, pavarësisht se emri është në trajtën e pashquar. Pra, “objekti” (djalë) semantikisht është i shquar, edhe pse emri që e mvesh atë është morfologjikisht i pashquar.

Shquarsia me zëvendësim, natyra shquese e përemrit

Shumë gjuhë e kanë nyjën shquese të paravendosur: qoftë në mënyrë sintetike, qoftë analitike. P.sh. ndërtim me paravendosje sintetike të nyjës ka arabishtja, kurse me paravendosje analitike kryesisht gjuhët latine: italishtja, spanjishtja, frëngjishtja, por edhe gjuhët sanksone si anglishtja etj. Shqipja, siç thamë, ka ndërtim sintetik të prapavendosur të nyjës shquese. Por ka edhe gjuhë të cilat në gramatikën e tyre nuk kanë fare nyjë shquese, siç është turqishtja. Për të shquar një emër në gjuhën turke është e rëndësishme mënyra e veprimit të foljes mbi të, por edhe më e rëndësishme pranëvënia e përemrit.

Pothuajse në të gjitha gjuhët përemri luan rol të rëndësishëm në shquarjen e emrit që shoqëron apo zëvendëson. Shembull: “Në klasën tonë hyri një djalë fytyrëngrysur. Nga pamja ai dukej se ishte i zgjuar.”

Objekti “djalë” i emërtuar në trajtën e pashquar nga emri “djalë” në fjalinë e parë, tashmë në fjalinë e dytë shquhet nga përemri vetor ai, i cili zëvendëson emrin. Nga sa shihet, kuptojmë që përemri (dëftor/vetor) nuk e ka kategorinë gramatikore të shquarësisë, por e përmban shquarësinë në përbërjen e tij semantike. Ai nuk mund të jetë i shquar ose i pashquar, por ka gjithmonë natyrë shquarsie. Ne fare mirë mund ta konsiderojmë këtë si mënyra semantike e shquarësisë në gjuhën shqipe.

E pashquar:

Në klasën e tyre hyri një djalë fytyrëngrysur.

E shquar:…
…Nga pamja djali dukej i zgjuar.                   (Mod. 1)
…Nga pamja ai djalë dukej i zgjuar.              (Mod. 2)
…Nga pamja ai dukej i zgjuar.                        (Mod. 3)

Në të tre rastet dihet për kë bëhet fjalë. Nga këta shembuj mund të konkludojmë në ekzistencën e tri modeleve të ndërtimit të shquarësisë:

Modeli gramatikor (morfologjik), sintetik;
Modeli sintakso-semantik, analitik;
Modeli semantik me zëvendësim.

Përfundim
Për shquarësinë në gjuhën shqipe (por edhe në gjuhët e tjera) mund të thuhet shumë më tepër sesa është thënë. Edhe pse shquarsia është trajtuar në të shumtën si aspekt gramatikor, për të mund të flitet e shkruhet edhe në aspektin semantik e semantiko-gramatikor. Tre modelet e ndërtimit të shquarësisë në gjuhën shqipe janë fakt; ndoshta jo i studiuar, por i zbatuar nga shqipfolësit në të gjitha trevat shqiptare.

N. Gallube