Parimet e transparencës, qëndrueshmërisë, llogaridhënies dhe parashikueshmërisë do ta udhëheqin Türkiyen në mandatin e ri, tha sot ministri i ri i financave i vendit, transmeton Anadolu.
“Parimet tona udhëzuese për krijimin e një Türkiye më të begatë dhe më elastike do të jenë transparenca, qëndrueshmëria, llogaridhënia dhe parashikueshmëria”, shkroi në Twitter ministri i Thesarit dhe Financave Mehmet Şimşek, i cili u emërua në këtë pozicion të shtunën pas rizgjedhjes së presidentit Recep Tayyip Erdoğan muajin e kaluar.
Şimşek tha se përparësi e tij do të jetë forcimi i ekipit të tij dhe “hartimi i një programi të besueshëm”.
“Ndërsa lundrojmë nëpër sfidat e brendshme dhe ndërkombëtare, ne afirmojmë përkushtimin tonë ndaj politikëbërjes së bazuar në rregulla për të rritur parashikueshmërinë”, tha ai.
Ndërsa nënvizoi se nuk do të ketë “rrugë të shkurtra apo rregullime të shpejta”, ai tha se përvoja, njohuria dhe përkushtimi do të “na ndihmojnë të kapërcejmë pengesat e mundshme përpara”.
Şimşek tha të dielën se një ekonomi turke e bazuar në rregulla dhe e parashikueshme do të jetë çelësi për arritjen e prosperitetit të dëshiruar.
Duke iu referuar rolit të tij në qeveritë e kaluara turke, ai theksoi: “Pas një pushimi pesëvjeçar, sapo pata nderin dhe privilegjin e veçantë të betohem si ministër i Thesarit dhe Financave. I jam mirënjohës presidentit (Recep Tayyip Erdoğan) që më besoi përgjegjësinë për t’i shërbyer popullit tonë në këtë cilësi”.
Në qeveritë e mëparshme, Şimşek ka pasur poste të ndryshme, duke përfshirë atë të ministrit të shtetit përgjegjës për thesarin, ministrit të financave dhe të zëvendëskryeministrit përgjegjës për ekonominë.