Tiranë: Gjykata Kushtetuese kthen Teatrin Kombëtar në pronësi të qeverisë

Teatri Kombëtar i Shqipërisë u shkatërrua në mesin e pandemisë më 17 maj të vitit të kaluar, me pretendimin se po aty do të ndërtohej një teatër i ri.

Në Tiranë, Gjykata Kushtetuese nxorri sot vendimin për prishjen e Teatrit Kombëtar.

Lidhur me çështjen kryesore, nëse duhej prishur apo jo ndërtesa, Gjykata nuk arriti të vendosë, pasi nuk siguroi dot numrin e duhur të votave 5, për pasojë kërkesa e palës paditëse u rrëzua.

Në dy vendime të tjera po për Teatrin, Gjykata shpalli si anti-kushtetues vendimin e qeverisë për t’ia kaluar Teatrin Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës, si dhe vendimin për procedurat e veçanta për ndërtimin e teatrit të ri.

Ligji i veçantë për procedurat e ndërtimit ishte tejkaluar nga zhvillimet, pasi kontrata me firmën rivate, që do të realizonte ndërtimin kishte dështuar më parë.

Pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kuashtetuese, pronësia e Teatrit i mbetet përsëri qeverisë, çka kërkon rifillimin e gjithë procedurave për teatrin e ri.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar tha se do të vazhdojë edhe në Gjykatën e Strasburgut të këmbëngulë për të nxjerrë para drejtësisë ata që shkatërruan Teatrin Kombëtar.

Teatri Kombëtar i Shqipërisë u shkatërrua në mesin e pandemisë më 17 maj të vitit të kaluar, me pretendimin se po aty do të ndërtohej një teatër i ri.

Ndërtesa historike e Teatrit Kombëtar u mbrojt fizikisht për afro 2 vjet nga qytetarë dhe veprimtarë, të cilët zhvillonin aty edhe shfaqje artistike.

Organizata Europa Nostra e shpalli Teatrin Kombëtar si një nga objektet kulturore më shumë të rrezikuara në Europë.