Tirana mirëpret përsëri “Ditët e Turqisë”

Ambasadori Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, gjatë fjalës së tij përshëndetëse, tha se çdo vit rritet numri i bashkive që përfaqësojnë Turqinë në këtë aktivitet.

Në Tiranë është organizuar ceremonia e hapjes së aktivitetit “Ditët e Turqisë”, që për disa ditë me radhë do ketë në fokus promovimin e kulturës, gatimeve tradicionale dhe muzikës turke, raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në hapjen e aktivitetit ishin përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, përfaqësues të bashkive turke dhe institucioneve dhe organizatave të tjera nga Turqia dhe Shqipëria, qytetarë dhe studentë.

Ambasadori Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, gjatë fjalës së tij përshëndetëse, tha se çdo vit rritet numri i bashkive që përfaqësojnë Turqinë në këtë aktivitet.

“Uroj që në vitet në vijim numri i bashkive që do të vijnë nga Turqia të rritet dhe në kuadër të këtij aktiviteti të vijnë sa më shumë ushqime tradicionale turke që të kënaqen banorët e Tiranës. Këtu shikoj që ka një gjallëri që më gëzon shumë. Aktiviteti tregon që ne kemi më shumë njerëz që na njohin më nga afër. Ne kemi marrëdhënie shumë të hershme në fushën e kulturës, artit dhe historisë. Organizmi i këtij aktiviteti do t’i forcojë më shumë marrëdhëniet tona mes të rinjve”, tha ambasadori turk.

Ambasadori Yörük duke folur rreth operacionit turk “Burimi i Paqes”, u shpreh se “Dua që ata që kanë rënë dëshmorë atje Zoti i mëshiroftë, kurse ata që janë të plagosur uroj që të shërohen sa më shpejt.”

Në hapje të këtij aktiviteti mbajti një fjalë përshëndetëse edhe drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, i cili theksoi se aktiviteti “Ditët e Turqisë” organizohet për vitin e tretë radhazi në Tiranë.

Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të disa bashkive dhe institucioneve turke dhe institucioneve dhe organizatave nga Shqipëria, “Ditët e Turqisë” nën kujdesin e Institutit “Yunus Emre” Tiranë, me mbështetjen e Ambasadës Turke në Tiranë dhe disa institucioneve të tjera turke dhe shqiptare do të organizohen në sheshin “Skënderbeu”, në datat 18-20 tetor.

Në stendat promovuese do të prezantohet kultura, muzika dhe gatimet tradicionale turke, si dhe do të organizohen koncerte dhe aktivitete të tjera.