Themelohet “Qendra Kulturore Shqiptare” në Sarajevë

Në Sarajevë u mbajt kuvendi themelues i Shoqatës qytetare “Qendra Kulturore Shqiptare”, raporton Anadolu Agency (AA).

Fjalën e hapjes në kuvend e mbajti Mitat Fidani ndërsa kuvendin e drejtoi Abi Muhtari, i cili prezantoi qëllimet dhe aktivitetet e Qendrës si dhe vendimet e themelimit dhe statutin, i cili u ndryshua me diskutim.

Në kuvendin themelues morën pjesë më shumë se 30 persona ndërsa vendimet për themelimin e Qendrës, zgjedhjen e këshillit drejtues, sekretarin, kryetarin dhe zëvendësit e tij u morën njëzëri.

Kryetar i Shoqatës së Qendrës Kulturore Shqiptare u zgjodh Mitat Fidani ndërsa zëvendës të tij janë Elmedin Bicaj dhe Fehmi Topali. Sekretar i Përgjithshëm dhe Kryetar i Kuvendit të Qendrës është Abi Muhtari.

Qëllimet e Qendrës Kulturore Shqiptare janë mbrojtja dhe përmirësimi i të drejtave dhe lirive të pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare. Ruajtja, edukimi dhe promovimi i kulturës shqiptare dhe bashkëpunimi me shoqatat që kanë synime të njëjta dhe të ngjashme për promovimin e kulturave të popujve që jetojnë në Bosnjë e Hercegovinë.

Qendra gjithashtu do të organizojë projekte të ndryshme arsimore, kulturore dhe artistike dhe aktivitete humanitare.

Në takim mori pjesë edhe Ekrem Ebibi, ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Sarajevë.

Numri i shqiptarëve në BeH është rreth 10 mijë dhe ata kanë dhënë një kontribut të madh për shoqërinë në vend në fusha të ndryshme. Pakica kombëtare shqiptare në BeH përbëhet nga shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi të cilët kanë nënshtetësi të BeH-së.