Tensionet me Rusinë, Josep Borrell vizitë në Ukrainën lindore

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, do të nisë të martën një vizitë në Ukrainë, pasi tensionet me Rusinë mbeten të larta.

Borrell do të udhëtojë drejt Ukrainës lindore, ku vazhdojnë të zhvillohen përplasjet midis forcave ukrainase dhe separatistëve pro-rusë, gati shtatë vjet pas shpërthimit të konfliktit.

Ai do të shoqërohet nga ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba përpara se të udhëtojë në kryeqytetin Kiev për të takuar autoritetet e vendit.

“Udhëtimi i tij i parë jashtë vendit në këtë vit nënvizon mbështetjen e fortë të BE-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës në një kohë kur vendi përballet me ngritje ushtarake ruse dhe veprime hibride”, thuhet në një deklaratë nga Komisioni i BE-së.

Vizita vjen më pak se një javë përpara se zyrtarët amerikanë dhe rusë të takohen në Gjenevë për tensionet. Bisedimet e NATO-s dhe Rusisë janë planifikuar gjithashtu të zhvillohen më 10 janar.

Rreth 100.000 trupa dhe pajisje ushtarake ruse janë grumbulluar përgjatë kufirit.

Kremlini e ka mohuar këtë, por ka kërkuar që anëtarësimi i Ukrainës në NATO të përjashtohet.

Presidenti i SHBA Joe Biden siguroi homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelenskyy gjatë një bisede telefonike të dielën se “Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët e tyre do të përgjigjen me vendosmëri nëse Rusia pushton Ukrainën”.