Temperatura e oqeaneve në botë më e larta se kurrë më parë në 2022

Sipas një studimi të ri, temperatura e oqeaneve të botës në vitin 2022 ishte më e larta që prej kur kanë filluar matjet, raporton Anadolu Agency (AA). “Ciklet e energjisë dhe ujit të Tokës kanë pësuar ndryshime të thellësishme për shkak të emetimit të gazeve serrë nga aktivitetet njerëzore, të cilat kanë shkaktuar ndryshime të…

Sipas një studimi të ri, temperatura e oqeaneve të botës në vitin 2022 ishte më e larta që prej kur kanë filluar matjet, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ciklet e energjisë dhe ujit të Tokës kanë pësuar ndryshime të thellësishme për shkak të emetimit të gazeve serrë nga aktivitetet njerëzore, të cilat kanë shkaktuar ndryshime të gjithanshme në sistemin klimatik të Tokës”, thuhet në raportin e një grupi ndërkombëtar shkencëtarësh të publikuar në revistën “Advances in Atmospheric Sciences”.

Ngrohja e oqeaneve ka çuar në “mot më ekstrem … dhe kjo ka pasoja të jashtëzakonshme në të gjithë botën”, deklaroi John Abraham, profesor në Universitetin St.Thomas në SHBA, i cili është pjesë e ekipit të studimit.

Duke përdorur të dhënat që evidentohen që nga viti 1958, analizat nxorën në pah se ka pasur “rritje të pandalshme të temperaturës së oqeaneve, me përshpejtim të ngrohjes pas vitit 1990”, raportoi e përditshmja britanike “The Guardian”.

Ndërsa oqeanet thithin mbi 90 për qind të nxehtësisë së tepërt të krijuar nga emetimet e gazrave serrë, ngrohja e oqeaneve dhe efektet e saj në motin ekstrem do të rriten derisa njerëzimi t’i afrohet emetimeve zero, thuhet në raport.

Gjetjet bazohen në raportin e Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) tetorin e kaluar, i cili tregon se përqendrimi atmosferik i tre gazeve kryesore serrë – dioksidi i karbonit, metani dhe oksidi i azotit – të gjitha shënuan nivele rekord në vitin 2021.

Të dhënat mbi “rritjen e vazhdueshme të përqendrimit të gazrave kryesorë që ndihmojnë nxehtësinë, duke përfshirë përshpejtimin rekord të nivelit të metanit, tregojnë se ne po shkojmë në drejtimin e gabuar”, tha kreu i WMO-së, Petteri Taalas.