Teleskopi hapësinor më i fuqishëm në botë niset në një mision të largët

Teleskopi Hapësinor James Webb (JWST), më i fuqishmi i ndërtuar ndonjëherë, u lëshua në hapësirë për të eksploruar galaktikat më të vjetra në univers.

Teleskopi është ndërtuar bashkërisht nga agjencitë hapësinore në Evropë, SHBA dhe Kanada dhe nisja e tij është planifikuar për dekada. Ai u nis nga porti kozmik evropian Kourou në Guajanën Franceze në bordin e një mjeti lëshues Ariane, për një udhëtim katër-javor në orbitën e tij të synuar, afërsisht 1.5 milion kilometra larg.

Nisja u transmetua drejtpërdrejt në faqen e internetit të NASA-s. Teleskopi do të përdorë një pasqyrë prej 25 metrash katrorë për të ofruar imazhe të universit të hershëm në një mision 10-vjeçar.

“Ne e kemi këtë teleskop në majë të kësaj rakete. Një teleskop në të cilin kanë punuar më shumë se 10 000 njerëz në shumë mënyra. Së bashku me atë teleskop, janë të gjitha shpresat dhe ëndrrat e atyre individëve dhe gjithashtu dhjetëra mijëra shkencëtarëve”, theksoi shefi i Shkencës i NASA-s, Thomas Zurbuchen përpara nisjes.