Të burgosurit përfitojnë nga koronavirusi, leje 3 mujore për këto kategori

Duke marrë shkas nga situata e Covid-19, qeveria do të japë leje të posaçme të dënuarve për të qëndruar në shtëpi. Sipas këtij akti do të përfitojnë të dënuarit që vuajnë nga sëmundje kronike. ”Sëmundje kronike e rrezikshme për jetën, një sëmundje kronike, nga e cila vuan një i dënuar dhe që, e shoqëruar me ndikimin që infeksioni i shkaktuar nga Covid-19 mund të këtë mbi organizmin e të dënuarit, në rast se infektohet, mund të sjellë dëmtimin e rëndë të shëndetit ose humbjen e jetës të të dënuarit”, transmeton Koha Jonë.

Kriteret për përfitimin e lejes së veçantë:

1. I dënuari mund të përfitojë leje të veçantë qëndrimi të përkohshëm në shtëpi për një periudhë 3-mujore, në rast se në datën e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ:

a) është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe përmbush të dyja kushtet e mëposhtme: I ka mbetur pa vuajtur nga dënimi i dhënë deri në tre vjet burgim; Nuk është në kriteret ndaluese të parashikuara në nenin 5, të këtij akti normativ.

b) është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe përmbush të gjitha kushtet e mëposhtme: I ka mbetur pa vuajtur nga dënimi i dhënë deri në pesë vjet burgim; Është baras ose mbi moshën 60 vjeç;

c) Vuan nga një sëmundje kronike e rrezikshme për jetën, e vërtetuar me dokumentet mjekësore përkatëse, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi; Nuk është në kriteret ndaluese të parashikuara në nenin 5, të këtij akti normativ.

2. Periudha e qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, sipas përcaktimeve të këtij neni, përfshihet në kohën e vuajtjes së dënimit.

3. Nëse gjatë periudhës së zbatimit të lejes së veçantë të qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, gjykata vendos ekzekutimin e vendimit të dënimit me një dënim alternativ, sipas parashikimeve të Kodit Penal, leja e veçantë, sipas këtij akti normativ, shfuqizohet.