Tatim i ri te profesionet e lira nga 1 janari 2024, ekspertët: Nuk respektohet parimi i mosdiskriminimit

Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk ka bërë ndryshime në projektligjin për tatimin mbi të ardhurat nga varianti i draftit të dërguar në muajin dhjetor në komisionin parlamentar, pavarësisht kundërshtimeve të shoqatave të biznesit dhe grupeve të interesit.

Në draft propozohet që profesionet e lira nga 1 janari 2024 të taksohen me shkallë tatimore nga 15 deri 23%.

Për drejtuesin e studios “ASL Tax & Legal Advisors” z. Sajmir Laçej është e padrejtë që ligji i ri trajton të ardhurat të të vetëpunësuarve në profesionet e lira, si të ardhura nga paga.

Në draft propozohet që për biznesin e vogël jashtë profesioneve të lira taksimi zero të qëndrojë i pandryshuar deri më dhjetor 2029. Laçej shton në një sqarim në rrjetet sociale se ky përjashtim duhet të zbatohet për çdo biznes të vogël, në të kundërt nuk respektohet parimi i mosdiskriminimit.

“Shkalla tatimore e aplikueshme mbi fitimin e tatueshëm, për tatimpaguesit që i nënshtrohen tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim vjetor nga 0 (zero) deri në 8 (tetë) milionë lekë, është 0%. Përmes ligjit të ri të tatimit mbi të ardhurat, është propozuar që profesionet e lira me xhiro deri në 8 milionë të mos trajtohem si biznes i vogël me 0 % por të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi për të vetëpunësuarit tatohen me normat: 0 – 14,000,000 lekë 15%. Për analogji me të punësuarit me të ardhura deri 2,040,000 lekë në vit. Mbi 14,000,000 lekë 23%. Për analogji me nivelin e taksimit për të punësuarit me të ardhura mbi 2,040,000 lekë në vit.

Shtrohen disa pyetje, si: A mund të barazohet trajtimi i të punësuarit me vet të punësuarin? Jo, për nivele krejt të ndryshme risku në gjenerim të ardhurash.

A është i vetëpunësuari Biznes i Vogël që duhet të përfitojë nga shkalla tatimore 0%? Po, sepse ndryshe nuk respektohet parimi i mosdiskriminimit.

Deri në çfarë vlere duhet të përfitojë? Për të fitimin e përllogaritur sipas një norme të përafërt 30 % për xhiro 8 milionë në vit që është 2,4 milionë Lekë në vit. Është çështje parimi. Derisa është në fuqi deri në vitin 2029 tatim 0% për xhiro deri në 8 milionë, kjo fashë duhet respektuar për çdo biznes. Nuk mund të thuhet që je i vogël po nuk je. 0 % tatim për biznesin e vogël mund të konsiderohet i padrejtë krahasuar me taksimin e të punësuarve por kjo “padrejtësi” nuk mund të korrigjohet me “padrejtësi””, pohon Laçej.

Ndryshimet e ligjit për tatimit mbi të ardhurat janë kundërshtuar ashpër edhe nga kontabilistët dhe ekspertët të tjerë fiskalë. Në muajin dhjetor kontabilisti Sotiraq Dhamo ngriti shqetësimin në komisionin parlamentar të Ekonomisë se ndryshimet krijojnë pabarazi mes tatimpaguesve.

“Nuk jemi kundër pagesës së taksës te profesionet e lira, por nëse nuk paguan një kategori biznesesh nuk kanë pse të paguajnë profesionet e lira. Siç përcaktohet në projektligj, bizneset tregtare të vegjël do të jenë me tatim zero deri në 2029. Ne jemi dëshmitarë që shumë biznese të vogla hapin dyqane tregtare të çuditshme, që punojnë 6 muaj apo 1 vit dhe më pas mbyllen, rihapen apo mbyllen sërish. Këto lloj biznese me xhiro deri në 14 milionë lekë do ta kenë tatimin zero, ndërsa të gjitha profesionet e lira duhet të paguajnë tatim 15 apo 23%”, pohoi më herët ai.

Çështja e tatimit të profesioneve të lira vijon të mbetet e nxehtë, pasi sipas ekspertëve barazohet edhe me tatimfitimin e korporatave dhe mbajnë të vetëm barrën e ndryshimeve të taksimit, në një kohë kur në draft përcaktohet se biznesi i vogël do të vazhdojë me tatim 0% deri në dhjetor 2029.