Targat, me marrëveshjen e vjetër, dje dështuan bisedimet mes Kosovës e Serbisë, por lëvizja vazhdon

Pas skadimit të marrëveshjes së përkohshme për targa qytetarët e Kosovës dhe Serbisë po vazhdojnë të mbulojnë targat për të hyrë në territoret përkatëse.

Të gjitha automjetet me targa të Serbisë që kaluan nëpër pikën kufitare në Bërnjak, pas kontrolleve u ndalën për të vënë letrat ngjitëse në targa.

Edhe autoritetet kufitare të Serbisë janë duke e zbatuar marrëveshjen e skaduar për targat. Të gjitha automjetet që kaluan në pikën kufitare të Bërnjakut për të hyrë në Serbi e që kishin targa të Kosovë simbolet i mbuluan me letra ngjitëse.

Institucionet e Kosovës po fajësojnë Serbinë për dështimin e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare.

Të enjten në Bruksel u takuan kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE-së, por dështuan të arrinin një marrëveshje që do të rregullonte qarkullimin e qytetarëve mes Kosovës e Serbisë.

Marrëveshja e përkohshme skadoi të enjten e 21 prillit, ajo u arrit në shtator pas një jave bllokade nga serbët lokal në pikat kufitare Jarinjë e Bernjak.