“Synojmë krijimin e një platforme komunikimi të bizneseve turke dhe shqiptare”

Ministrja Denaj tha se kjo vizitë është shumë e mirëpritur pasi Unioni i Dhomave të Shqipërisë ka një dritare partneriteti për të mësuar nga dhomat e biznesit në Turqi për mënyrën e operimit të tyre dhe fuqizimit në të ardhmen

Në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Dhomave të Ballkanit – ABC (Association of Balkan Chambers), në Shqipëri realizoi një vizitë një delegacion nga Unioni Turk i Odave dhe Bursave (TOBB), ku zhvilloi takime edhe me përfaqësues të institucioneve të Shqipërisë.

Kryetari i Unionit Turk të Odave dhe Bursave (TOBB), Rifat Hisarcıklıoğlu dhe delegacioni që kryesonte ai realizoi një takim me ministren e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Anila Denaj, ku u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve, shkëmbimin e eksperiencave dhe mundësitë e investimeve në Shqipëri.

I pranishëm në takim ishte edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe drejtues të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë (UCCIAL).

– “Synojmë krijimin e një platforme komunikimi të bizneseve turke dhe shqiptare”

Duke folur për Anadolu Agency(AA) pas takimit, ministrja Denaj tha se kjo vizitë është shumë e mirëpritur për disa arsye, sepse siç theksoi ajo, së pari Unioni i Dhomave të Shqipërisë ka një dritare partneriteti për të mësuar nga dhomat e biznesit në Turqi për mënyrën e operimit të tyre dhe fuqizimit në të ardhmen, ndërsa së dyti për mënyrat e bashkëpunimit në të ardhmen.

Denaj theksoi se synojnë që në vitin në vijim, duke filluar nga muaji shkurt ose mars, të kenë mundësinë e krijimit të një platforme komunikimi të bizneseve turke dhe shqiptare për marrëdhëniet e drejtpërdrejta.

“Bizneset turke mund të vijnë në Shqipëri dhe të shikojnë oportunitetet që ka Shqipëria në disa sektorë të rëndësishëm. Unë e njoftova zotin Rifat se kush janë sektorët tanë shumë të rëndësishëm dhe me potencial zhvillimi ekonomik, ende të pashfrytëzuar 100 për qind siç është turizmi, agropërpunimi, pjesa e manifakturës dhe mbi të gjitha industria tekstile që në rastin e Turqisë ka shumë për të na mësuar sesi mund të fuqizohet dhe të krijojë një platformë shumë të madhe të rritjes së punësimit në Shqipëri”, theksoi Denaj.

Ajo u shpreh se pjesë e diskutimeve ishte adresimi i çështjeve dhe problematikave që ka biznesi turk në Shqipëri, që operon sot me rreth 500 biznese, që sipas saj, marrin zgjidhje. Denaj shtoi se përfaqësuesit e Qeverisë së Shqipërisë angazhohen që çështjet e problematikave të bizneseve turke të zgjidhen në kohë.

“Politikat stimuluese të Qeverisë së Shqipërisë janë aktualisht në ofertë për të gjithë investitorët e huaj dhe pse jo ato turq që sigurisht duke parë edhe afrimitetin e dy popujve dhe eksperiencat e deritanishme mund ta shfrytëzojnë edhe më shumë. Folëm për turizmin, si një nga fushat kryesore ku dhe stimujt prej disa vitesh janë duke u shfrytëzuar me disa investitorë, kryesisht vendas, por jo vetëm”, u shpreh Denaj.

– Kreu i TOBB-it: Bota e biznesit turk dëshiron që të jetë këtu në Shqipëri

Kreu i Unionit Turk të Odave dhe Bursave (TOBB), Rifat Hisarcıklıoğlu, për AA tha se me ministren Denaj realizuan një takim tepër të dobishëm.

Ai tha se ishte vendosur që të organizohej forumi i biznesit midis biznesit turk dhe atij shqiptar, por ky takim nuk u realizua për shkak të tërmetit në Shqipëri dhe sipas tij pritet të realizohet së afërmi.

“Ministrja na bëri një paraqitje mjaft të mirë për objektivat kryesorë për nxitjen e investimeve strategjike në Shqipëri. Ne u informuam gjerësisht në mënyrë që bota e biznesit turk të krijojë një ide sa më të mirë për mundësitë, për investimet strategjike që mund të bëjmë këtu në Shqipëri. E ardhmja e Shqipërisë është tepër e shkëlqyer. Bota e biznesit turk dëshiron që të jetë këtu në Shqipëri bashkë me vëllezërit dhe motrat tona shqiptare”, theksoi ai.

Duke e konsideruar si të rëndësishme Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Dhomave të Ballkanit, ai tha se gjatë vizitës u nënshkrua marrëveshja për krijimin e forumit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi, që është nënshkruar ndërmjet UCCIAL dhe TOBB.

Në përfundimit të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Dhomave të Ballkanit u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi midis Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Unionit Turk të Odave dhe Bursave.

Gjithashtu me vendim unanim u vendos për pranimin dhe anëtarësimin e Odës Ekonomike të Kosovës në këtë organizatë.

Asambleja e Përgjithshme e ABC-së shënoi edhe përfundimin e kryesimit për vitin 2019 nga Shqipëria, ndërsa në vitin 2020 drejtimin do ta marrë Bosnje dhe Hercegovina.