Supersfida Real Madrid-Manchester City “ndez” sonte Europën

Dy nga ekipet më të mira të Europës do të përballen sonte në orën 21:00 për llogari të gjysmëfinales së parë të UEFA Champions League. Kampionët e Europës përballë atyre të Anglisë, Real Madrid-Manchester City.

Ancelotti përballë Guardiola-s, fotokopje e gjysmëfinales së vitit të kaluar ku City e nisi me një fitore por ktheu gjithçka në “Santiago Bernabeu” duke ngrirë ekipin mik vetëm në minutat e fundit me dy gola vendimtarë.

Në njërin krah Vinicius Jr, Rodrygo dhe Karim Benzema përballë Halaand-De Bruyne-Gundogan. Sulmuesi norvegjez ka shënuar 12 nga 26 golat e Man. City në Champions këtë sezon por i nevojiten edhe 5 të tjerë për të barazuar rekordin e Cristiano Ronaldos me 17 realizime brenda një sezoni në kompeticionin më të rëndësishëm europian të klubeve.

Reali vjen i freskët nga suksesi në Kupën e Spanjës ndërsa Manchester City kryeson në Angli dhe është në ndjekje të tre trofeve pasi ka siguruar edhe finalen e FA Cup. Mungesa më e madhe në kampion e kampionëve të Europës është mbrojtësi brazilian Militao i cili ka plotësuar numrin e kartonëve, ndërsa në krahun tjetër Nathan Ake vuan nga një dëmtim.