Sulmi ndaj dy tankerëve të naftë në Gjirin e Omanit, SHBA fajëson Iranin

"Ky është vetëm sulmi i fundit në një seri sulmesh të inicuara nga Republika Islamike e Iranit", tha kryediplomati amerikan Mike Pompeo

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) zyrtarisht fajësuan Iranin për sulmin ndaj dy tankerëve të naftës në Gjirin e Omanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Këto akuza u shpalosën nga Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo gjatë një prononcimi të shkurtër para gazetarëve në Departamentin e Shtetit.

Kryediplomati amerikan tha se ky vlerësim bazohet në inteligjencën, armët e përdorura, nivelin e ekspertizës së nevojshme për të kryer sulmet, si dhe sulmet e tjera të kohëve të fundit ndaj anijeve në rajon, për të cilat SHBA e ka fajësuar Iranin.

“Asnjë grup i deleguar (proxy) që vepron në rajon nuk ka burime dhe aftësi për të vepruar me një nivel kaq të lartë sofistikimi”, tha Pompeo.

“Ky është vetëm sulmi i fundit në një seri sulmesh të inicuara nga Republika Islamike e Iranit dhe surrogatët e saj kundër interesave të SHBA-së dhe aleatëve”, shtoi shefi i diplomacisë amerikane.

Pompeo nuk pranoi pyetje nga gazetarët.

Ndryshe, dy tankerët, njëri me flamur të Ishujve Marshall dhe tjetra të Panamasë, ishin në rrugën e tyre drejt Tajvanit dhe Singaporit nga Katari, respektivisht Arabia Saudite.

Të paktën njëri prej tankerëve të sulmuar pranë Ngushticës së Hormuzit operohej nga një kompani japoneze, tha sot ministri japonez i Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë Hiroshige Seko.

Tankeri operohej nga kompania Kokuka Sangyo Co. me bazë në Tokio, njoftoi agjencia e lajmeve Kyodo.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif, sot tha se sulmet janë “të dyshimta” pasi ndodhën në kohën gjatë bisedimeve midis kryeministrit japonez Shinzo Abe, i cili vizitoi Iranin në përpjekje për të ulur tensionet midis Teheranit dhe Washingtonit, me liderin suprem të vendit Ali Khamenei.

Sulmet e dyshuara pranë ngushticës janë të dytat brenda dy muajve.

Në fund të muajit të kaluar, Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se katër anije, duke përfshirë dy tankerë të naftës, u goditën nga “sulme sabotuese” pranë ujërave territoriale, pa fajësuar askënd për sulmet.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se sulmet janë kryer me duke përdorur mina ujore “Limpet”.

Arabia Saudite ka thënë gjithashtu se dronë ushtarakë kanë kryer sulme ndaj dy stacioneve të pompimit të naftës në gazsjellësin e saj Lindje-Perëndim, i cili transproton naftë të papërpunuar nga fusha Abqaiq drejt portit Yanbu në bregun e Detit të Kuq.

Rijadi ka fakësuar rebelët jemenas Huthi të mbështetur nga Irani.