Stevo Pendarovski ka rezerva për “Open Ballkan”, Vjosa Osmani shprehet kundër

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski nuk beson që nisma “Open Ballkan” mund të ketë sukses me vetëm tri vende, ndërsa presidentja Vjosa Osmani është kundër kësaj nisme si një zvarritje e integrimit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Kosova e kundërshton iniciativën “Open Ballkan”, ndërsa presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovsi shprehu hapur rezerva për këtë  iniciativë, ndonëse vendi i tij, është pjesë e iniciativës fillestare së bashku me Serbinë dhe Shqipërinë. Stevo Pendarovsi President i Maqedonisë së Veriut,  gjatë një vizite zyrtare që zhvilloi në Kosovë, tha se iniciativa “Ballkani i Hapur”, nuk mund të ketë sukses përderisa në të nuk janë të përfshira të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe këtë nismë tha ai e ka parë më dyshime që kur është lansuar më 2019.

“T’ju rikujtoj se kur nisi si iniciativë në vitin 2019, unë isha politikani i parë që shpreha rezerva. Kësaj iniciative i mungon diçka, në vend se të jenë gjashtë shtetet, janë vetëm tre. Derisa kjo iniciativë nuk i përfshin të gjitha shtetet nuk do të ketë sukses. Qëndrimi im është se mund të jetë vetëm një nga mjetet për përmirësim tregtar e ekonomik, por jo politik. Mund të jetë vetëm pjesë e Procesit të Berlinit, por jo ta zëvendësojë atë. Procesi i Berlinit është iniciativë që ka institucione, ka resurse që ‘Ballkani i Hapur’ nuk i ka”, tha Pendarovski në një konferencë të përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës ndërkaq, tha se iniciativa “Ballkani i Hapur”, nuk u ndërtua si nismë mbi parimet themelore të bashkëpunimit ndërfqinjësor, prandaj sipas saj, “kjo iniciativë nuk e pranon trajtimin e barabartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor”.

Republik Kosovo | Vjosa Osmani und Stevo Pendarovski | Treffen in Pristina

“Përderisa Serbia nuk e trajton Kosovën në mënyrë të barabartë në iniciativa rajonale, atëherë shohim se Serbia do zgjerim të interesave të saj hegjemoniste. Kosova ka rezerva të mëdha sa i përket aspekteve politike të kësaj iniciative, por edhe sa i përket ekonomisë e sigurisë, sepse synimi është të përdoret njëfarë paradhome që të zvarritet procesi e integrimit evropian”, deklaroi presidentja Osmani.

Mediet në Serbi shkruajnë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të qëndrojë në Tiranë më 20 dhe 21 dhjetor, ku do të marrë pjesë në takimin e iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur”. Në takimin e Tiranës, mikrpritës do të jetë kryeministri shqiptar Edi Rama dhe pritet të marrë pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Takimi i fundit në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur” është mbajtur në fillim të muajit nëntor në Beograd.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ndërkaq, nuk u ndal vetëm me siç tha ajo, mostrajtimin jo të barabartë rajonal që ia bënë Serbia Kosovës, por foli edhe për ndikimin e Rusisë në Ballkan që bëhet përmes Serbisë.

Osmani: Rusia ndikon përmes Serbisë

“Kosova dhe rajoni ballafaqohen me rreziqe të mëdha për shkak të tendencave destabilizuese të Rusisë nëpërmes Serbisë. Kosova është e përkushtuar jo vetëm të refuzojë ndikimet dashakeqe, por edhe të bashkëpunojë me partnerët tanë që të parandalohen ndikimet e këtilla destabilizuese. Rajonit i duhet ecje me hapa konkretë drejt integrimit evropian, por edhe paqe e stabilitet afatgjatë. Por, krejt kjo dëmtohet nëse ndikimi i Rusisë rritet nëpërmes trampolinës së saj, Serbisë”, tha Vjosa Osmani.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski foli gjatë vizitës në Kosovë edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke e cilësuar se “dialogu mbetet zgjidhja e vetme drejt stabilitetit të rajonit”.

“E dimë që procesi është i vështirë dhe i komplikuar, por shtetet e rajonit me qëllim të mirë e mbështesin zgjidhjen e kontestit. Maqedonia e Veriut do të mbështesë marrëveshjen finale mes dy vendeve sepse sipas nesh ajo do të kontribuojë në stabilitet në rajon”, tha Stevo Pendarovsi, vendi i të cilit në vitin 2008 e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Präsident Nordmazedoniens Stevo Pendarovski und der Prämierminister Kosovos Albin Kurti

Dialogu Kosovë-Serbi që për synim ka normalizimin e marrëdhënieve, ka nisur qysh në vitin  2011 dhe që nga ajo kohë janë arritur një sërë marrëveshjesh, por shumica prej tyre nuk kanë filluar së zbatuari ende. Ky dialog ka ngecur tash së voni dhe është pikërisht çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe mospajtimet e Kosovës dhe Serbisë rreth saj, që po pengon një takim të kërkuar nga BE, ndërmjet presidentit të Serbisë Aleksandër Vuҫiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Beogradi këmbëngul që çështja e Asociaiconit të jetë tema kryesore e dialogut, ndërsa Prishtina kërkon që të ndriçohet fati i personave të zhdukur gjatë luftës dhe çështje të tjera më të ngutshme.  Që nga koha kur Albin Kurti u bë kryeministër i Kosovës, në kuadër të dialogut me Serbinë ai është takuar vetëm dy herë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç. Ky i fundit ka thënë se “Serbia dëshiron vazhdimin e dialogut me Kosovën, por Prishtina është ajo e cila nuk do që dialogu të vazhdojë”.

Vetë shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel javë më parë paralajmëroi një takim të mundshëm Kurti-Vuçiç deri në fund të këtij viti, por si duket gjasat janë të vogla, pikërisht për shkak të mospajtimeve Prishtinë-Beograd, rreth çështjes së Asociacionit./ DW