Spanjë, Partia Socialiste e Punës fiton zgjedhjet

Spanjollët shkuan në zgjedhje pasi nuk u arrit të formohet qeveria pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 28 prill

Sipas rezultateve zyrtare në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Spanjë, Partia Socialiste e Punës (PSOE) ka dalur e para, por nuk ka arritur ta fitojë shumicën që të formojë e vetme qeverinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Spanjollët përsëri shkuan në zgjedhje pasi nuk u arrit të formohet qeveria pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 28 prill.

PSOE, në krahasim me zgjedhjet e mëparshme kur kishte fituar 123 deputetë, në zgjedhjet e së dielës fitoi 120.

Blloku majtist arriti të fitojë 158, ndërsa ai djathtist mbeti në 150 deputetë, gjë e cila ua vështirëson të dyja palëve të arrijnë shumicën prej 176 deputetëve.

E djathta ekstreme dyfishoi votat

Në krahasim me zgjedhjet e kaluara, në këto zgjedhje partia e së djathtës ekstreme Vox shënoi një rritje të madhe.

Vox, e cila u formua me rritjen e krizës së Katalonjës dhe e cila merr pjesë për herë të dytë në zgjedhje parlamentare, numrin e deputetëve e rriti prej 24 në 52. Me këtë, Vox u bë partia e tretë politike më e madhe në vend.

Partia Popullore (PP) e cila njihet si bastioni i së djathtës, numrin e deputetëve e rriti në 88 prej 66.

Në rritjen e votave të Vox dhe PP kanë ndikuar edhe përpjekjet separatiste dhe protestat në Katalonjë.

Ndërkaq, partia liberale e krahut të djathtë, Qytetarët (C’s), pësuan një rënie të madhe për shkak të politikës së tyre parandaluese për formimin e qeverisë në legjislaturën e fundit. C’s fitoi vetëm 10 deputetë nga 57 që i kishte më parë.

Nga ana tjetër, partitë separatiste në Katalonjë vazhduan të përfaqësojnë shumicën e rajonit në fjalë në parlamentin spanjoll.

Kryetari i PSOE dhe kryeministri Pedro Sanchez në fjalimin e tij kërkoi mbështetje për të krijuar qeverinë e pakicës.

“Kjo qeveri ose do të formohet, ose do të formohet”, tha Sanchez duke kërkuar nga kundërshtarët që “të hapin rrugën e qeverisë së pakicës”.