SPAK publikon njoftimin zyrtar për kërkesën e arrestimit të Ahmetaj

Prokuroia e Posaçme ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me kërkesën drejtuar Kuvendit të Republikës për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Në njoftimin e SPAK theksohet se ndaj Ahmetaj është regjistruar procedim penal për veprat penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” , “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar respektivisht nga nenet 257/a, 260, 245, 287 të K.Penal.

Prokuroria e Posaçme njofton se ka paraqitur kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit:

  • Arben AHMETAJ, i biri i Nevruz dhe i Ferdane, datëlindja 28.06.1969, lindur në Gjirokastër, me nr personal G90628061Q.

Ky shtetas, rezulton se ka marrë cilësinë e personit nën hetim, në kuadrin e procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale të:

  • “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, vetëm dhe në bashkëpunim, në formën e deklarimit të rremë, dhe në formën e fshehjes, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë, neni 25 i K.Penal,
  • “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i K.Penal, 6 (gjashtë) herë;
  • “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal.