SPAK nis hetimet për Ilir Metën

SPAK ka nisur hetimet për ish-presidentin Ilir Meta.  Euronews Albania siguron shkresën ku SPAK i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një kopje të formularit të vetëdeklarimit për Ilir Metën, bazuar në ligjin e dekriminalizimit.

SPAK sqaron se kërkesa e drejtuar KQZ për një kopje të formularit të vetëdeklarimit për Ilir Metën është pjesë e hetimeve që po kryen Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimit penal regjistruar mbi bazën e kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri.

“Për nevojë të hetimit të këtij procedimi penal, kërkojmë kopje të formularit të vetëdeklarimit në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, të dorëzuar nga ish-deputeti Ilir Meta”, thuhet në kërkesën e SPAK, që mban firmën e Arben Krajës.

Në qershor të këtij viti, Vlateri paditi ish-presidentin me akuzën se gjatë kohës që ka qenë në pushtet ka përfituar para nëpërmjet korrupsionit dhe këto i ka përdorur për lobim.