Sipas një anketimi të kryer nga gazeta e njohur amerikane “Washington Post” dhe televizioni kombëtar “ABC News” nëse zgjedhjet presidenciale amerikane do të mbaheshin sot, Donald Trump do të fitonte me 7% më shumë se sa presidenti Joe Biden, përkatësisht 49%-42%.
Anketimi hedh dyshime mbi vendosmërinë e shumë demokratëve për të vijuar me presidentin Biden edhe për katër vite të tjera.
Një nga pengesat kryesore është pikërisht mosha e tij.
Të pyetur për kthjelltësinë mendore të presidentit, i cili mbushi 80 vjeç nëntorin e kaluar, 94% e republikanëve, 69% e të pavarurve, dhe 21% e demokratëve u përgjigjën se ai nuk e ka më mprehtësinë e nevojshme për vazhduar punën si president.
Nga ana tjetër, 54% e të anketuarve mendojnë se ish-presidenti Trump e ka mprehtësinë e nevojshme mendore për të qenë president. Trump mbush 77 vjeç në qershor.
Sipas anketimit Biden do të humbiste po njësoj edhe kundër guvernatorit Ron DeSantis, i cili mendohet që të sfidojë ish-presidentin Trump brenda Partisë Republikane.
Por nuk është vetëm mosha e shëndeti mendor. Presidenti Biden po kalon përsëri një periudhë pakënaqësie për punën që po bën si president. Vetëm 36% aprovojnë punën që po bën, krahasuar me 42% në muajin shkurt.