Sipas ekspertëve, ulja drastike e popullsisë sjell rënien e ekonomisë

Ulja e numrit të popullsisë do të ketë ndikim edhe në fuqinë punëtore.

Organizatat ndërkombëtare vazhdojnë të paraqesin projeksione pesimiste sa i përket popullsisë në Shqipëri. Për ekspertët shprehen se këto lëvizje do të sjellin ndikime negative në ekonomi, qoftë në uljen e konsumit por edhe në fuqinë punëtorë.

Sipas Kombeve të Bashkuara deri në vitin 2059 në Shqipëri popullsia do të zbresë në 2 milion e katërqind mijë banorë. Ndërsa deri në 2100-ën sipas organizatave që vlerësojnë ndikimin e emigracionit dhe lëvizjen e popullsisë në vendin tonë do të jenë vetëm 1 milionë e 88 mijë banorë.

Ky skenar pesimist do të ketë ndikim negative në ekonominë e vendit.

Preçi:Fuqia ekonomike, zhvillimi i një vendi kushtëzohet me numrin e popullsisë. Pasojat më negative e pakësimit të popullsisë është plakja e saj. Kjo do të thotë se presioni për të financuar nga buxheti i shtetit skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore do të jetë edhe më i madh.

Ulja e numrit të popullsisë do të ketë ndikim edhe në fuqinë punëtore.

Preçi: Numri i popullsisë është indikator i rëndësishëm për absorbimin e investimeve të huaja, por edhe për zgjerimin e aktivitetit të investimeve vendase. Po kaq me rëndësi është edhe numri i konsumatorëve.

Kundrejt lajmeve për uljen drastike të popullsisë INSTAT ka reaguar duke nënvizuar se migracioni është një fenomen dinamik, që do të thotë se të larguarit e një viti janë potencial për migracion kthimi gjatë një viti të mëpasshëm, sikundër mund të jenë imigrantët potencial për emigrim sërish në vitet në vijim. /Ora News