Sikur të dish ta vlerësosh Bajramin!…

Nga Evans Drishti

Nëse dita sot shpirtin ta rëndoi,
Mos u trishto, të them shpreso,
Kur një shi me lot qiellin ta mbulojë,
Mos u trishto, të them shpreso.
Lulja kokën ngre, kur një rreze del,
Dhe tek ajo shikon ditën që agon,
Ndez një diell brenda shpirtit shpresa,
Ti ringjallesh, jetooo.

Jetoje këtë ditë të veçantë tënden, të “ringjallesh” shpirtërisht dhe fizikisht!…

Ka njerëz që bëhen “të hijshëm” kur bëhen së bashku…

I keni parasysh ata njerëz që kuptohen edhe me një të vështruar në sy kur janë pranë njëri-tjetrit?… Të kuptojnë në buzëqeshje, në çdo kënaqësi…
Ku natyrshmëria dhe finesa shpirtërore i zënë vendin një respekti fals…

Janë ata, që të shfaqen si një kraharor i mbushur plot dashuri, një shpirt i dlirë që të thonë se jemi së bashku, janë një mirëbesim, një mbështetje, një oqean…

Ka në këtë vend njerëz të atillë, që kur janë së bashku bëhen edhe më të hijshëm, megjithë falsitetin, egoizmin apo meskinitetin që na shfaqet përherë…

Ata janë njerëz, që s’njohin ego, S’dinë të thonë “Unë!”…
Ata janë njerëz, që dijnë të thonë vetëm “Ne!”…

A është një mundësi e mirë që festën e Bajramit ta vlerësojmë edhe në të tilla “gjetje”?…

Vlerësoje Bajramin, jo i zhytur në përgjumjen e një “dite pushimi”, por duke u betuar qoftë edhe një herë të vetme, të ngrihesh herët e të përfitosh nga vesa mëngjesore dhe mirësitë e një dite jo të zakontë…

Përjetoje Bajramin, duke u kujdesur për pastërtinë tënde shpirtërore e fizike, flokëkrehur, truplarë, duarartë, i veshur plot sqimë, trupkërpitur…

Ndjeje Bajramin me përqafimin ndjesor të prindërve, të fëmijëve, të gruas, të burrit, të gjyshërve duke u shprehur kënaqësinë dhe dashurinë e sinqertë që ndjen për ta… S’duhet të bëhet e vështirë t’i thuash tjetrit se “e do dhe e respekton!”…

Shijoje Bajramin duke kundërmuar aromat e këndshme të luleve dhe kënaqësinë që të dhuron gjelbërimi dhe peisazhi natyror…Kur secili prej nesh të mbajë pastër ambientin që na rrethon, higjiena do jetë mbizotëruese kudo..

Mendoje Bajramin jo për të kollofitur që herët në mëngjes gjëra të ëmbla për të plotësuar unin dhe kënaqësinë e çastit, por duke pirë qoftë edhe një gotë ujë për ta shijuar atë ngopje që të mundëson ta mbash veten në formë…

Gjykoje Bajramin duke u dhënë dorën njerëzve, jo si një gjest sipërfaqësor, si për të kaluar radhën apo si për të çuar në vend një “detyrim”, por të përçosh tek tjetri një energji pozitive dhe shpresëdhënëse…

Programoje Bajramin jo duke dërguar me telefon “shabllone” false si simbolikë të kësaj dite, por duke marrë mundimin t’u telefonosh dashamirësve, t’ua dëgjosh zërin, të shkëmbesh me ta tinguj valorë që të kthjellojnë mendjen dhe të ngrohin shpirtin…

Planifikoje Bajramin jo thjesht duke i hipur biçikletës apo makinës për të kryer ca vizita “kushtëzuese”, por duke trokitur me plot dashamirësi në dyert e komshinjve, të moshave të thyera, të fëmijëve jetimë… Tek të afërmit e cilitdo breznie qofshin duke u dhuruar buzëqeshje të ngrohtë dhe përzemërsi, duke ndarë me ta momente të këndshme dhe të paharrueshme…

Ideoje Bajramin duke vizituar njerëzit e dashur dhe të shtrenjtë jo për të ngopur stomakun me llojshmëri ëmbëlsirash, por për të shkëmbyer një fjalë të ëmbël, një ndodhi të paqtë, një mesazh domethënës…

Shfrytëzoje Bajramin duke marrë mundimin të vizitosh edhe ata që s’janë më në këtë jetë. Të përjetosh të tjera ndjesi, sado të brishta qofshin ato…

Gjykoje Bajramin jo duke qëndruar “i bllokuar” në ekranin e telefonit pa kuptuar përshpejtimin e minutave, por duke bërë një planifikim të mirëmenduar të kohës që ke në dispozicion, jo duke qëndruar i mpirë dhe pa lëvizuar, por duke u kthjelluar për përgjegjësitë më minimale që të takojnë si krijesë e Zotit dhe si qytetar i këtij vendi të bekuar, jo duke pritur kohën të kalojë pa bërë asnjë përpjekje, por duke u munduar të zhvillosh veten së pari dhe të kontribuosh në çdo shërbim si brenda familjes ashtu edhe në shoqëri…

Plotësoje Bajramin duke i kushtuar një kohë të volitshme fëmijëve të tu. Të ndash me ta ato kënaqësi të papërjetuara më parë. Të luash me ta, të argëtohesh, të qeshësh, të këndosh, të vallëzosh, të vraposh, të lexosh, të ecësh, të bashkëbisedosh, të bashkëpunosh, të ushqehesh, të diskutosh, të komunikosh me ta, por jo t’i qortosh, jo t’i keqtrajtosh…

Kuptoje Bajramin si një mundësi për të shfletuar, lexuar e kuptuar një shkrim të pëlqyer, një gazetë apo revistë, një libër apo qoftë edhe një paragraf,.,. një ndodhi, një realitet, një dëshmi, një sfidë, një hap, një këndvështrim… Është një kohë e volitshme për t’u kthjelluar…

Vlerësoje Bajramin, si një ditë të ndryshme nga e djeshmja, e po aq e ndryshme edhe nga e nesërmja.

Vlerësoje Bajramin, si një mundësi e artë për të kuptuar se ç’peshë mbart emocioni që të dhuron festa…

Shpresëdhënëse vargjet e këngës “Të ndez një shpresë” e sjellë nga këngëtarja Myfarete Laze.…

Kape ditën tënde,
Mos e mbyt atë me lot,
Mos i thuaj, mos i thuaj vetes,
Të rrosh a të mos rrosh.
Hape zemrën, ndize shpresën,
Të jetojë me ty njeri,
Edhe mos thuaj duke ndenjur,
Më shpëto o Perëndi.

Zoti na ndriçoftë hapat tona në jetë dhe na bashkoftë përherë në sfida plot urtësi!…